Dialogu në Bruksel përfundon pa takim trepalësh, dalin detaje

Aktuale

Dialogu në Bruksel përfundon pa takim trepalësh, dalin detaje

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 20:45
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq

Të martën në Bruksel janë zhvilluar takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Por, nuk ka pasur një takim të përbashkët midis Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Ende nuk ka informacione se pse nuk ka ndodhur një takim trepalësh, edhe pse i njëjti ishte paralajmrëruar.

Edhe në të kaluarën, në Bruksel, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Të martën, takimin e parë me Lajçakun e ka pasur Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.

Menjëherë pas tij, Lajçak është takuar me delegacionin e Serbisë, të udhëhequr nga Petar Petkoviq.

Pas takimeve me dy kryenegociatorët, Lajçak tha se bisedimet ishin "intensive" për një sërë temash konkrete.

Sipas burimeve të BE-së, takimet e së martës do të shërbejnë për të vazhduar diskutimet e lidhura me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.

Sipas burimeve diplomatike, të martën është thënë se do të diskutohej për çështjen e të pagjeturve, për atë të targave të veturave dhe për çështjen e energjisë.

Para mbajtjes së takimeve, pala serbe, sipas asaj që ka thënë Petkoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, ka kërkuar që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill.

Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.

Rundi i ri i bisedimeve të 22 shkurtit u zhvillua pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.

Për këtë çështje është arritur një marrëveshje kalimtare në vjeshtën e vitit të kaluar, por është thënë se në një afat prej gjashtë muajsh duhet të arrihet një marrëveshje afatgjate.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se takimet e së martës do të shfrytëzohen për të testuar nëse ka gatishmëri të mjaftueshme mes palëve edhe për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim të tillë, por BE ka insistuar se nëse ndodhë ai, duhet të ketë edhe rezultate konkrete.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i pyetur rreth mundësisë që së shpejti të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ka thënë se “zhvillimi i një takimi të tillë do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme”.

Burimet e BE-së thonë se takimi i nivelit të lartë do të varet nga takimi në nivel të kryenegociatorëve, si dhe përafrimi i qëndrimeve rreth disa çështjeve të rëndësishme për të dyja palët./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat