Kosova ka rezerva 4 ditore të grurit dhe miellit, pritet rritje e çmimeve

Aktuale

Kosova ka rezerva 4 ditore të grurit dhe miellit, pritet rritje e çmimeve

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 17:50
Ilustrim

Serbia vazhdon të jetë eksportuesi më i madh i miellit dhe grurit në Kosovë.

Mbi 72 mijë kilogramë miell prej grurit “Durum” dhe grurit të zakonshëm ka importuar Kosova për më pak se dy muaj.

Kurse mbi 5 milionë kilogramë grurë( jo durum), po ashtu ka importuar Kosova nga po i njëjti vend, Serbia.

E, nëse llogariten në vlerë monetare atëherë Kosovës i gjithë ky miell e grurë i ka kushtuar rreth 1.5 milionë euro.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Dogana e Kosovës.

Sipas Doganës së Kosovës vetëm për ditët e kaluara të vitit 2022 janë importuar gjithsej 8,452,983,00 kilogramë miell dhe grurë, kurse vlera e gjithë këtyre kilogramëve kap shumën e 2,612,197,47 eurove.

Në vendin e dytë për import të miellit dhe grurit radhitet Hungaria kurse e treta Kroacia.

Ndërsa, po thuhet se kriza në Ukrainë, pas aneksimit të dy rajoneve të saj nga Rusia, do të ketë impakt direkt në ekonominë evropiane, duke përfshirë edhe Kosovën.

Madje, është paralajmëruar që kjo krizë do të ndikojë edhe në shtrenjtimin e miellit dhe naftës në Kosovë.

Por, a ka rezerva të mjaftueshme të miellit dhe grurit Kosova?

Media për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por të njëjtit për dy ditë nuk kanë kthyer përgjigje. Burimet thonë se rezervat e grurit dhe miellit që ka Kosova janë minimale, pasi që në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Tregtisë ka shpenzuar 350 mijë euro për rezerva të tilla.

Kurse, sot Qeveria e Kosovës ia ka shtuar edhe një masë Pakos së Ringjalljes Ekonomike të korrikut të vitit të kaluar, duke ndarë 10 milionë euro të tjera si shtesë për rezervat shtetërore.

Derisa, Ukraina është eksportuese prej 18% në vendet evropiane për njohësit e ekonomisë kriza në mes Rusisë dhe Ukrainës do të ketë efekte negative edhe në Kosovë, pasi që kjo e fundit është importuese e madhe.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se do të ketë rritje të çmimeve pasi që Ukraina është vend me fuqi të madhe në ekonomi.

“Vet fakti që janë tri shtyllat të cilat e karakterizojnë ekonominë e Ukrainës ka të bëjë me produkte bujqësore, me metale dhe me shërbime besoj që qoftë në mënyrë direkte qoftë në mënyrë indirekte do të ndikojë me ngritjen e çmimeve në Evropë edhe duke pas parasysh që 18% të eksporteve Ukraina i plason në Evropë është në vend me fuqi, në të njëjtën kohë një vend në rindërtim që Kosova ka nevojë për konstruksione metalike, për grurë dhe produkte bujqësore dhe kjo është fuqia më e madhe që posedon Ukraina besoj që do të ndikojë në një disbalanc në mes ofertës dhe kërkesës dhe e tëra kjo do të reflektohet edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve të nevojshme në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas tij, nuk dihet sigurtë se për sa ditë Kosova ka rezerva shtetërore.

“Dua të besoj që nuk duhet të kemi panik, duhet nga kjo përvojë të mësojmë, ajo çka duhet me urgjencë Kosova ta bëjë është miratimi i ligjit për tregti të brendshme, e dyta është që të zbatohet ligji për rezerva shtetërore dhe vërtetë qytetari i Kosovës të ketë siguri sepse nëse analizohen vendet evropiane të cilat kanë rezerva në produkte strategjike elementare për 90 ditë apo 123 ditë dhe për fat të keq Kosova nuk e di a i ka për katër ditë”, ka thënë Gërxhaliu.

Njohësi i ekonomisë, Mustafa Kadrijaj krizën në mes Rusisë dhe Ukrainës po e sheh si problem për investitorët.

Ndërsa, thotë se Kosova nuk do të ketë problem me import.

“Unë vlerësoj që te importi Kosova në këtë drejtim nuk do të ketë problem sepse ne jemi shteti i cili më së shumti kemi import dhe në fakt çdo shtet ka interesim që të eksportojë në një vend siç është Kosova pa marrë parasysh që niveli i tregut nuk është aq i madh por sidoqoftë është një treg potencial”, është shprehur Kadrijaj.

Sipas tij, pavarësisht që Kosova është e atakuar nga ana e importit nuk ka krizë serioze në këtë drejtim.

Por, ndryshe nga Kadrijaj mendon njohësi tjetër Musa Limani.

Ai, thotë se efektet negative në ekonomi që mund të shprehen në vendet e Evropës, mund të reflektohen edhe në Kosovë.

“Përmes efekteve negative që mund të shprehen në vendet e Evropës në mënyrë të tërthortë ajo mund të reflektohet edhe në proceset ekonomike të Kosovës pasi që Kosova pjesën më të madhe të të mirave materiale të tregut vendor i importon nga vendet e Evropës”, ka shtuar ai.

Të martën presidenti Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën.

Sanksionet përfshijnë jo vetëm bankat ruse, por edhe borxhin sovran të Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat