Dëshmia kundër prokurores që dyshohet se asgjësoi provat për vrasjen e trefishtë

Aktuale

Dëshmia kundër prokurores që dyshohet se asgjësoi provat për vrasjen e trefishtë

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 18:33
Fikrije Krasniqi-Fejzullahu

Ilir Qerimi nuk pa rrugë-dalje tjetër përpos denoncimit të prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, kur dëshmitë e dorëzuara prej tij në Prokurori para më shumë se tri vitesh nuk u administruan në gjykatë. 

Fikrije Krasniqi-Fejzullahu mund të ndiqet penalisht për fshehje të provave në një rast gjykimi për një vrasje të trefishtë.

Prokurorja speciale, dyshohet se ka zhdukur prova që konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e një vrasje të trefishtë, të ndodhur 15 vite më parë në Ferizaj.

Provat të cilat ajo dyshohet se i ka fshehur, i ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Ilir Qerimi, vëllai i Shpend Qerimit, njërit prej pesë të akuzuarve për vrasjen e trefishtë e cila kishte tronditur Ferizajn më 2007. Ishin vrarë Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiu.

Ilir Qerimi nuk pa rrugë-dalje tjetër përpos inicimit të një kallëzimi penal kundër prokurores Krasniqi-Fejzullahu, kur dëshmitë e dorëzuara prej tij në Prokurori para më shumë se tri vitesh nuk u administruan asnjëherë në gjykatë.

Kësisoj, ai e ka denoncuar prokuroren speciale për fshehje të provave; pesë videoincizimeve në formë të CD-së. Qerimi pretendon se provat e prezantuara prej tij mund të çojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Denoncimin kundër prokurores Krasniqi-Fejzullahu e ka marrë në duar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Prokurorja Merita Lumezi ka iniciuar një hetim penal kundrejt Fikrije Krasniqi-Fejzullahut.

Më 16 shkurt, ajo ka intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, Ilir Qerimin. Dëshminë e tij e ka siguruar të plotë Paparaci.

Qerimi, pretendon se videoincizimet të cilat i kishte siguruar pas fillimit të gjykimit për rastin e vrasjes së trefishtë, ia ka dorëzuar prokurores së rastit më 19 gusht, 2019.

“Pasi që e kam konsideruar që vëllai im dhe personi Besnik Hasani janë dënuar padrejtësisht, unë kam bërë incizime në vende të ndryshme, i kam krijuar CD dhe kur prokurorja Fikrie Krasniqi-Fejzullahu ka filluar ta përfaqësoj lëndën në Gjykatë ku në këtë lëndë vëlllau im Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani janë dëshmitarë te rasti në fjalë- vrasje e cila ka ndodhur në vitin 2007, unë e kam parë të nevojshme për me u sqaru situata e vërtetë dhe këto video ingjizime- CD i kam dorëzuar në Prokurorinë Speciale në emër të prokurores në fjalë”, ka dëshmuar Qerimi në Prokurori.

Ilir Qerimi në dëshminë e dhënë në Prokurorinë Speciale ka thënë se ka pranuar edhe dëftesë për dorëzimin e provave të rastit..

“Këto CD i kam dorëzuar në Prokurorinë Speciale kryesisht gjatë muajit Gusht 2019, nuk i kam dorëzuar të gjitha përnjëherë por kohë pas kohe. Prezantoj edhe dëftesën për dorëzimin e dokumentit në PSRK të nënshkruara dhe të vulosura me datë 20.08. 2019”, ka thënë dëshmitari Ilir Qerimi.

Vëllai i të akuzuarit Shpend Qerimi, ka thënë se gjatë kohës sa po mblidhte dëshmi për rastin, ka marrë pjesë edhe në senaca gjyqësore.

“Deri sa kjo procedurë ka vazhduar në Gjykatë ku unë kam marrë pjesë në publik si vëllai i dëshmitarit Shpend Qerimi, po ashtu kam marrë pjesë edhe në seancën ku ka dhënë deklaratë Florim Hasani, vëllau i dëshmitarit Besnik Hasani, i cili ndër të tjera ka thënë: ‘që unë Ilir Qerimi kam dorëzuar në PSRK disa video incizime- CD të cilat kanë të bëjnë me zbardhjen e rastit”, ka thënë dëshmitari Ilir Qerimi.

Sipas dëshmisë së Ilir Qerimit, prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, në një nga seancat ka mohuar pranimin e pesë video-incizimeve.

“Në këtë seancë pas dëshmisë se Florim Hasani, Prokurorja Fikrije tha: ‘Kush është Ilir Qerimi në këtë rast dhe unë nuk kam pranua kurrfarë CD apo provë’. Mu në atë moment më ka lind dyshimi se këto prova janë fsheh nga prokurorja në fjalë”, ka deklaruar Ilir Qerimi në PSRK.

“Prokurorja tha se Ilir Qerimi është këtu në sallë dhe nuk mund ta thërrasim si dëshmitarë sepse ai ka marrë pjesë në seanca. Konsideroj se me këtë përgjigje prokurorja ka tentu me mi mbyll dyert mua që të jem dëshmitar në këtë rast”, ka thënë Ilir Qerimi në dëshminë e tij.

Qerimi ka akuzuar prokuroren Krasniqi-Fejzullahu se dëshmitë i ka administruar në gjykatë pas rreth tri vitesh fshehje të provave.

“Pasi që krejt krejt këto që i thash janë bërë mediatike, Prokurorja Fikrie i ka dorëzuar CD në Gjykatë. Unë kam bërë kërkesë në PSRK që Prokuroja Fikrije të përjashtohet nga kjo lëndë dhe të zëvendësohet me një prokurorë tjetër. Kërkesën time Kryeprokurori i PSRK-së e ka hedh poshtë”, ka përfunduar dëshminë e tij Ilir Qerimi.

Vëllai i Ilir Qerimit, iish-oficeri policor Shpend Qerimi dhe katër të tjerë akuzohen se më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun.

Në një gjykim të mëhershëm, Shpend Qerimi, së bashku me Besnik Hasanin, janë shpallur fajtor dhe dënuar me 33 vjet burgim. Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Lënda, momentalisht ndodhet në shkallën e parë të gjykatës në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nysret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarve Agron dhe Afet Dalloshi, ndërsa në një gjykim të mëhershëm, janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndërsa i akuzuari Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat