Kush është për dhe kundër martesave homoseksuale në Kosovë?

Aktuale

Kush është për dhe kundër martesave homoseksuale në Kosovë?

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 00:03
Ilustrim

Një debat i madh është nxitur ditëve të fundit rreth Kodit Civil i Kosovës, sidomos tek pjesa e lejimit të martesës mes gjinive të njëjta.

Aktin e martesës mes gjinive të njëjta në Kosovë e lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për familjen.

Kurse nesër në Kuvendin e Kosovës do të votohet rreth këtij ligji. Disa parti politike e deputetë të Kuvendit tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre rreth këtij ligji.

Deputetja Duda Balje në një postim në Faceboook ka njoftuar se do të votojë kundër këtë ligji.

“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Për këtë të fundit organizata “Dylberizm” ka kërkuar shkarkimin e saj nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Krahas Baljes edhe grupi parlamentar i AAK-së ka njoftuar se do të votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheshin martesat brenda së njëjtës gjini.

“Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohëshm”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë që edhe partia Turke KDTP pjesë e Koalicionit të Qeverisë është deklaruar kundër martesave të gjinisë së njëjtë.

“Qëndrimi i Partisë sonë lidhur me këtë nen do të jetë që ky nen të mos njihet ligjërisht me arsyetimin se është një opinion kundër vlerave të shenjta dhe fetare të shoqërisë sonë dhe nuk i përket vlerave, kulturës, traditave dhe zakoneve tona familjare. Si parti, me respekt i deklarojmë opinionit publik se ligji për këtë çështje nuk do të mbështetet dhe deputetët tanë do ta votojnë kundër“, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se nuk do ta votojë këtë kod. Për këtë ai ka marrë shembull ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Lushtaku u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit që të votojnë kundër këtij kodi.

“Andaj, edhe unë si përfaqësues i popullit do të votoj kundër Projekt Kodit Civil i cili ju jep hapësirë martesave mes gjinisë së njejtë, për arsye se jam pro familjes dhe se bie ndesh me ideologjinë politike që une ndjek dhe bindjet e mija personale. Gjithashtu ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër këtij projekt kodi”, shkruan ai.

Ndryshe prej tyre anëtarë të Partisë Socialdemokrate (PSD) përmes postimeve në rrjetet sociale kanë shprehur përkrahjen e kundrejt komunitetit LGBT+, kjo pas diskutimeve të shumta që janë bërë së fundmi.

Zëdhënësja e kësaj partie Natyra Kuqi në Twitter ka shkruar: “Dashuria është dashuri #LGBTQ”.

Po të njëjtën fjali e ka shkruar edhe anëtari Nol Nushi në Facebook.

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë sot kanë nënshkruar sot një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.

Si është e rregulluar në rajon martesa mes çifteve të gjinisë së njëjtë?

Mali i Zi ka miratuar Ligjin për martesat e gjinisë së njëjtë gjatë më 1 korrik 2020. Ky ligj kishte hyrë në fuqi më 15 korrik të po atij viti.

Komuniteti LGBTIQ në Malin e Zi ka kërkuar nga Kuvendi malazez që deri më 25 korrik të ndryshojë të 26 ligjet e nevojshme, në mënyrë që Ligji për martesat e gjinisë së njëjtë të mund të hyjë në fuqi.

Në Serbi ende nuk është miratuar një ligj i tillë. Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve më 4 mars të vitit 2021 ka publikuar draft-ligjin për partneritet ndërmjet gjinive. Ky ligj do të duhej të legalizonte partneritetin, por jo edhe martesën.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar e nuk do ta nënshkruajë një ligj të tillë sepse ai është kundër Kushtetutës dhe Ligjit për familjen.

Ndërkohë që as Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë legjislacion që lejon martesat mes çifteve të gjinisë së njëjtë.

Çfarë thuhet në draftin e Kodit të ri Civil për martesat?

MD-ja e konsideron se procesi i hartimit dhe finalizimit të Projekt Kodit Civil, ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent, i hartuar në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Për çështjen e martesave, në nenin e draft-Kodit 1138 të tij, janë 4 pika.

Për pikën e parë, thotë MD-ja, projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës ka arritur të ruaj “identitetin tradicional të martesës në Kosovë mes burrit dhe gruas”.

“Pra me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, martesa është e lejuar vetëm ndërmjet burrit dhe gruas”, apostrofojnë nga kjo ministri, përcjell Paparaci. Pika e dytë e nenit, ajo më e diskutueshmja, thotë se bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura, thuhet aty, rregullohen me ligj të veçantë, i cili pritet të bëhet më pas.

“Megjithatë, me qëllim që hartimi i Projekt Kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, por që kushtet dhe procedura e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në sqarimin e MD-së për pikën, që është më e diskutueshmja e kësaj pjese të Kodit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat