Ish-zyrtari i PDK-së formon parti të re

Aktuale

Ish-zyrtari i PDK-së formon parti të re

Më: 9 mars 2022 Në ora: 16:10
Kadri Veseli dhe Isa Agushi

Të mërkurën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është regjistruar edhe një parti e re.

Partia quhet “Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA”  (BNA), e cila udhëhiqet nga Isa Agushi.

Por kush është udhëheqësi i BNA-së, Isa Agushi?

Ai nuk është i ri në politikë, ai kishte shërbyer si asamblist nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për dy mandate, por që më 12 gusht 2021 i kishte dhënë fund rrugëtimit të tij këtë parti.

Në njoftimin që kishte bërë për dalje nga PDK-ja ishte shprehur mjaft i ashpër me lidërshipin e ri të kësaj partie.

Ai kishte falënderuar ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin por jo edhe lidershipin aktual me në krye Memli Krasniqin.

“Mendoj që të zgjedhurit prapë s`kanë faj së shumica prej tyre i kanë servilat, klanet, grupet dhe sahanlëpirësit për rreth veti. Shfrytëzoj rastin të ju njoftoj dhe të jua bëjë me dije të vetmin sinqeritet dhe që kam pa e pash te Kadri Veseli njeri i fjalës dhe besës. Një falënderim të sinqertë nga zemra për gjithë ata që më mbështeten për dy mandate sa isha në kuvendin komunal të Gjilanit, zoti ju ruajt juve me familjen tuaj, ju jam mirënjohës tan jetën”, kishte shkruar Agushi.

Isa Agushi më tetë janar 2022 kishte filluar hapat për të vazhduar rrugëtimin në politikë pas dorëheqjes në PDK.

“Sot në Gjilan është themeluar Iniciativa Qytetare e Anamoravës me veprim në Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë. Nga këshilli iniciues kryetar deri në kuvendin zgjedhor është zgjedhur z.Isa Agushi”, kishin njoftuar nga kjo Iniciativë në njoftimin për media.

KQZ në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme ka njoftuar se kjo Iniciativë është regjistruar si parti pasi pas shqyrtimit në  Zyrën për Regjistrim të Partive Politike.

“Kjo parti do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë si partia e 51”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat