Profesori universitar Milazim Krasniqi ka komentuar deklaratën e shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Joseph Borel se NATO kishte bërë gabim që i kishte premtuar Ukrainës pranimin në aleancë.
Sipas tij, Ukrainën e kanë futur në lojë me premtime dhe e kanë lënë në baltë.
“Zhozep Boreli sot ka deklaruar se NATO ka bërë gabim që i kishte premtuar Ukrainës pranimin në atë aleancë. Po ashtu BE sot ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE. Faktikisht e kanë futur në lojë me premtime dhe e kanë lënë në lloq”, ka shkruar ai në Facebook.
Nga kjo situatë sipas profesorit duhet të marr mësim Kosova. Ai ka rikujtuar idenë e shëkmbimit të territoreve duke thënë se me çuarjen përpara të kësaj ideje do të ndodhte konflikt civil, spastrim etnik, ardhje e vullnetarëve, garë NATO-Rusi, shkatërrim i shtetit.
“Cili është mësimi për Kosovën? Kosova nuk duhet të bëjë asnjë veprim eksperimental, që e çon drejt konfliktit. Merreni me mend po të hyhej në shkëmbimin e territoreve me Serbinë, se çfarë do të ndodhte: konflikt civil, spastrim etnik, ardhje e vullnetarëve, garë NATO-Rusi, shkatërrim i shtetit. Prandaj, nuk duhet të bëjë askush eksperimente me shtetin! Ne edhe kështu jemi nën ombrellën e NATO-s. Nuk kemi asnjë nevojë që të bëjmë eksperimente me shtetin”, ka thënë Krasniqi.