​Dita e Forcës, ministri Maqedonci nderon komandantin e FSK-së Bashkim Jasharin me medaljen “Shërbim i Shquar”

Aktuale

​Dita e Forcës, ministri Maqedonci nderon komandantin e FSK-së Bashkim Jasharin me medaljen “Shërbim i Shquar”

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 20:03
Pamje nga takimi

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për nder të Ditës së Forcës, nderoi komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit me medaljen “Shërbim i Shquar”, në vlerësim të shërbimit të jashtëzakonshëm dhe përkushtimit të palëkundur ndaj sigurisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Rrugëtimi i gjeneral Jasharit është i lidhur ngushtë me historinë e përpjekjes për liri dhe me shërbimin ndaj atdheut. Ai ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari në luftimet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit. Pas asaj qëndrese, ai vazhdoi angazhimin si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditët e çlirimit të vendit, në qershor të vitit 1999.

Pas luftës, Gjeneral Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, fillimisht si zëvendëskomandant e më pas si komandant i Zonës së Parë Mbrojtëse. Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, duke kontribuar në proceset e rëndësishme të zhvillimit dhe tranzicionit të saj. Në nëntor të vitit 2021, ai u emërua Komandant i FSK-së.

Ministri Maqedonci vuri në dukje se gjatë pesë viteve në këtë detyrë, gjenerallejtënant Jashari udhëhoqi procese me rëndësi historike për transformimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për ngritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë me forcat e vendeve aleate

“Me punën dhe përkushtimin e tij, ai dha kontribut të çmuar edhe në thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” shkroi në Facebook, Maqedonci, duke e falënderuar për bashkëpunimin e ngushtë dhe për shërbimin e tij të çmuar ndaj Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat