VOA: Baerbock, thirrje për përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

VOA: Baerbock, thirrje për përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 11 mars 2022 Në ora: 21:21
Annalena Baerbock dhe Albin Kurti

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premtën se lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës tregon nevojën për uljen e varësisë nga energjia fosile dhe investimeve në energji të rinovueshme.

Ajo i bëri këto komente gjatë përurimit të fillimit të punës së investimit në energjinë e prodhuar nga era, në fshatin Selac në rajonin e Mitrovicës rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës.

Ministrja e Jashtme gjermane po zhvillon një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në mes të shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se investimi në energjinë e gjelbër nuk është vetëm çështje e ruajtjes së planetit por edhe çështje e sigurisë.

“Lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës nuk na lë asnjë dyshim se ne duhet të reduktojmë varësinë tonë nga energjia fosile dhe se duhet të shpenzojmë në burime të rinovueshme”, tha ajo në përfundim të vizitës dy ditëshe në Kosovë prej nga ku shkoi në Beograd.

Ministrja Baerbock tha gjatë një konference me gazetarë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se njerëzit në të gjithë Ballkanin e dinë se çfarë do të thotë lufta për popullatën dhe sa e lartë është vlera e paqes.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të kundërshtojmë me forcë dhe kudo idenë se kufijtë në Evropë mund të zhvendosen me forcë. Ne duhet të punojmë aktivisht për një të ardhme të mirë, të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në paqe dhe prosperitet. Në terma konkretë kjo do të thotë se ne kemi nevojë për përparim të dukshëm në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve serbe me Kosovën dhe jam shumë mirënjohës që kjo u trajtua sot”, tha ajo.

Ministrja Baerbock tha se vizita e saj në rajon ka të bëjë me zgjatjen e dorës për shtetet e Ballkanit në rrugën drejtë Bashkimit Europian.

“Ne duam që Serbia në të ardhmen të bëhet anëtare e plotë, e barabartë dhe e lirë e Bashkimit Evropian. Ne jemi të bindur se serbët kanë të njëjtën të drejtë për jetë në liri, siguri, demokraci dhe prosperitet në shtëpinë tonë të përbashkët evropiane”, tha ajo duke nënvizuar se Serbia është një nga vendet që tashmë ka shënuar përparim drejt integrimeve evropiane.

Por, rruga evropiane e Serbisë do të varet edhe nga bisedimet me Kosovën, ku një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, mbetet kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat