Pajaziti flet për “Qeverisjen e mirë”

Aktuale

Pajaziti flet për “Qeverisjen e mirë”

Më: 16 mars 2022 Në ora: 00:34
Zenun Pajaziti

Gjatë ditës së djeshme kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se janë duke punuar në themelimin e kabinetit “Qeverisje e Mirë”, andaj sonte, Zenun Pajaziti, anëtar i kryesisë së kësaj partie, shpalosi më shumë në lidhje me këtë ide.

Pajaziti tha se “Qeverisje e mirë” është një përpjekje e PDK-së për të mos ndenjur duarkryq, por për të kontribuuar me ide e propozime në lidhje me çështjet me të cilat përballet vendi.

Sipas tij, në këtë kabinet mund të kontribuojnë edhe njerëz jashtë Partisë Demokratike.

Kjo nuk është as më shumë e as më pak sesa një vendosmëri, përpjekje e Partisë Demokratike që në këso situatash mos të rrijë duarkryq, por të jetë më shumë kontribuues. Po rigrupojmë kapacitetet e ndryshme, të profileve të ndryshme që janë në sektorë të ndryshëm të Partisë Demokratike dhe jashtë, për të krijuar një mekanizëm që do t’i përgjigjet rrethanave të sotme për të reaguar me qëndrime, me propozime e me ide të ndryshme në rrethanat që po vijnë, është një hap tutje që PDK-ja të jetë më aktive se që ka qenë deri tash, po pretendojmë me qenë më të zëshëm”, ka thënë Pajaziti.

“Secili ekip do të ketë numër të caktuar të njerëzve të profileve të ndryshme, nëse do edhe qeveria të marrë ide nga kjo që po prodhojmë ne”, shtoi ai.

Ai foli edhe për rrethanat e tanishme me të cilat po përballet Kosova. Sipas tij, paaftësia e qeverisë u pa me ngritjen e çmimeve.

“Kjo është ajo që e kemi paralajmëruar, që ka me pasë krizë energjetike dhe kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asgjë, është përcjellë me rritje të çmimit të energjisë… Për krizën e fundit me ngritje të çmimeve, e pamë një paaftësi totale të qeverisë për t’u përballur me këtë krizë”, ka thënë ai.

Sipas tij institucionet do të duhej të reagonin paraprakisht në momentin që çmimet, sidomos të vajit, u rritën.

Institucionet duhet të reagojnë paraprakisht. Ne po e shohim që kjo qeveri është e paaftë… Kjo qeveri do të duhej të funksionalizonte gjithçka që kishte munguar”, vazhdoi ai.

Ai madje tha se ka njëfarë mosbesimi të qeverisë edhe te institucionet e veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat