Këta janë deputetët e VV-së që dolën kundër Projekt-Kodit Civil

Aktuale

Këta janë deputetët e VV-së që dolën kundër Projekt-Kodit Civil

Më: 16 mars 2022 Në ora: 18:51
LVV

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar projekt-kodin civil. Nga 61 deputetë që votuan, 28 ishin për, 29 kundër dhe katër prej tyre abstenuar.

Krahas disa nga partive opozitare që kanë deklaruar javë më parë që nuk e përkrahin një kod të tillë, nëprërmjet së cilit lejohet edhe martesa mes personave me gjini të njëjtë, edhe deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk votuan pro këtij projekt-kodi.

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes që dolën kundër Kurtit ishin: Gazmend Gushinca, Labinotë Demi – Murtezi, Eman Rrahmani, Burim Karameta, Gramoz Agusholli, Visar Korenica, Driton Hyseni, Fitim Haziri, Drita Millaku dhe Fjolla Ujkani.

Në sallën e Kuvendit gjatë votimit të këtij projekt-kodi ishin të pranishëm 77 deputetë, por që vetë 61 prej tyre shfrytëzuan të drejtën e votimit.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Glauk Kojufca, pas dështimit të miratimit të këtij projekt – kodi deklaroi se: “Moti nuk ka pasur votim më të larmishëm në Kuvendin e Kosovës.”

Tutje ai shtoi se nuk është diçka e pazakontë dhe se kudo në botë ka ndodhur kështu.

Një debati “i nxehtë” u zhvillua sot në Kuvendin e Kosovës ku disa një deputete e Lëvizjes Vetëvendosje përdori edhe terma ofendues kundrejt komunitetit LGBTI+.

Labinotë Demi – Murtezi deklaroi se me votën e saj kundër këtij projekt – kodi  synon “ta mbrojë moralin publik”.

“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”, tha ndër të tjera ajo.

Kundër projekt -kodit civil u shpreh edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani. Sipas tij angazhimi i tij politik ka domethënie në momentin kur ai del kundër të drejtave të komunitetit LGBTI.

“E kisha lutë ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) shumë sinqerisht që ta tërheq këtë projekt-kod sot, t’i largojë këto dy pika dhe të vie pa këto dy pika. Unë edhe atëherë do të jem kundër. Kjo nuk ka të bëjë me vullnetin tim, me angazhimin tim politik, me atë për çfarë jam unë këtu”, tha ai sot në Kuvend.

Edhe Gazmend Gjyshinca i VV-së u deklarua se do të abstenojë kur ky kod të hidhet në votim.

“Për këtë çështje e shoh të nevojshme të shteren në atë mënyrë që asnjë ligj mos të kontestohet nga shoqëria. Mbështetur në këtë, unë sot do të abstenoj. S’kam votë kundër Qeverisë Kurti. I kam besuar vizionit, programit të saj që në fillim”, tha ai.

Projekt – kodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

Në Projekt-kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projekt-kodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat