Çeku flet për planin “Patkoi” të Millosheviqit

Aktuale

Çeku flet për planin “Patkoi” të Millosheviqit

Më: 24 mars 2022 Në ora: 21:28
Agim Çeku

Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Agim Çeku, njëherish ish-kryeministër, ka folur për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, kundër agresionit serb ndaj shqiptarëve.

”Nuk e kemi mendu që do të zgjatë aq shumë. Por, tash nga kjo perspektivë do ta mendojmë vetëm rezultatin, dhe rezultati i asaj ndërhyrje ishte sukses, sukses që na solli deri këtu”.

Çeku u shpreh se bashkësia ndërkombëtare qysh nga 1998-të, sikurse edhe drejtuesit e UÇK-së, e dinin për planin e Sllobodan Millosheviqit, të ashtuquajtur ‘’Plani Patkoi’’.

”Që nga nëntori i vitit ’98 edhe Bashkësia Ndërkombëtare, e ka ditë për planin e Sllobodan Millosheviqit, planin ‘’Patkoi’’. Ndoshta e kam thënë edhe ndonjëherë se di, mua personalisht në janar të vitit 1999 më ka ra në dorë plani ‘’Patkoi’’ sa isha oficer i ushtrisë kroate, dhe me atë plan i kam njoftuar drejtuesit e UÇK-së para Rambujesë”.

Sipas Çekut në planin e Sllobodan Millosheviqit, kishte disa taktika të caktuara nga njëri prej të cilëve edhe pësoi Reçaku.

”Para Reçakut, e kemi ditë, dhe ajo çka ka ndodhë në Reçak, por edhe në vende të tjera, që nga ajo kohë, Millosheviq ka filluar ta zbatojë planin. Plani ‘’Patkoi’’ është një plan i detajaur që ka filluar me ndryshimet kadrovike. Shefat e ri të armatës së re, e dislokimi i forcave në Kosovë, dhe e kanë pasë një taktikë të quajtur ‘’kafshimi i miut’’. Nga ky plan ishte planifikuar të sulmohen disa vende sidomos gjatë aksit kryesor rrugor Serbi, Vermicë, dhe nga ky plan ka pësuar edhe Reçaku, sidomos në ato vende ku UÇK-ja ishte afër, active. Me idenë se ‘shih çfarë ju ndodhë nëse mbështesni UÇK-në’ ”.

”Drejtuesit kryesorë të UÇK-së e kanë ditur për këtë plan. Është dashur të menaxhohen disa hezitime të brendshme, por s’ka pasur dilema që marrëveshja e Rambujesë do nënshkruhet. Por në një formë e kemi prit intervenimin e NATO-s, por kemi prit që ajo do zgjas pak, shkurt dhe Serbia dhe forcat e tyre do dorëzohen, do detyrohen të dorëzohen para bombardimeve të NATO-s por kjo nuk ndodhi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat