Bekim Haxhiu flet përsëri për tërheqjen e trustit

Aktuale

Bekim Haxhiu flet përsëri për tërheqjen e trustit

Më: 25 mars 2022 Në ora: 19:09
Bekim Haxhiu

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës nuk është kërkesë e tij, por e qytetarëve të Kosovës.

Haxhiu thotë se beson që deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta votojnë Projektligjin për tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Tutje, Haxhiu vlerëson se tërheqja e mjeteve nga Trusti i ndihmon qytetarët e Kosovës për të përballuar krizën ekonomike, e që sipas tij kjo nuk paraqet asnjë rrezik as për situatën aktuale, e as për atë të mëvonshme.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti ndihmon qytetarët të përballojnë krizën ekonomike dhe nuk paraqet asnjë rrezik as sot, as me vonë. Sepse duhet të bëhet reforma pensionale dhe të ndryshoj modeli aktual, të kalohet me modelin e pensioneve, ku gjenerata paguan për gjeneratën duke fuqizuar Fondin Pensional të Kosovës”, thotë Haxhiu.

Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për futje në rend dite për shqyrtim.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Lidhur me qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë shprehur kundër nismës së deputetit Haxhiu, ky i fundit thotë se qëndrimi i LVV-së nuk përkon me nevojën e qytetarëve të Kosovës, teksa shton se kjo kërkesë nuk është e tij, por e qytetarëve.

“Nuk përkon me nevojën e qytetarëve, sepse kërkesa për tërheqje të mjeteve të Trustit nuk është e imja, është e qytetarëve”, vlerëson deputeti Haxhiu.

Veç të tjerash, Bekim Haxhiu shprehet optimist për votimin e Projektligjit lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional prej 30%, e që sipas tij në rast se deputetët e votojnë këtë, Haxhiu thotë se ata “do të dëshmonin integritetin e tyre dhe do të votonin për kërkesën e qytetarëve”.

“Unë besoj se deputetët do ta votojnë këtë kërkesë të qytetarëve, besoj se ata do ta dëshmojnë integritetin e tyre dhe do të votojnë për kërkesën e qytetarëve”, thekson Bekim Haxhiu.

Vlen të përmendet se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, më datë 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Pro këtij Projektligji janë shprehur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku shefi i Grupit Parlamentar, nga radhët e kësaj partie, Besnik Tahiri kishte thënë se AAK do të mbështes iniciativën e deputetit Haxhiu, duke thënë se do ta bëjnë këtë për të zbutur gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës.

“Siç kemi pasë edhe deklarime publike, ne do ta mbështesim iniciativën e deputetit Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, në mënyrë që ta zbusim gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Tahiri.

Lidhur me Projektligjin e propozuar nga Haxhiu, media ka kontaktuar edhe disa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë kryetarin nga radhët e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, por që të njëjtit nuk i janë përgjigjur telefonatave.

Kontributpaguesit, 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, të fituar gjatë kohës sa kanë punuar, e kishin tërhequr në vitin 2020.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat