Shkarkohet zv/drejtori i RTK-së

Aktuale

Shkarkohet zv/drejtori i RTK-së

Më: 25 mars 2022 Në ora: 20:35
RTK

Lorik Arifaj, ka njoftuar se është shkarkuar nga pozita e zëvendës-drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

Njoftimin e bëri vet ai, teksa një vendim të tillë e ka quajtur tinëzar dhe qyqar.

Një gjë e tillë sipas tij, është bërë me rekomandimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, nga Bordi i RTK-së, teksa thotë se vendimet po i marrin kryesisht natën.

“Ky vendim krejtësisht arbitrar, mesiguri i bazuar ne trillimet e zakonshme, dyshoj që është vendim politik dhe si të tillë do ta kundërshtoj në Organet e Drejtësisë, dhe të jeni të sigurt se do ta fitoj”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se vendim vjen pasi që e ka përfunduar Raportin Vjetor të Punës për vitin 2021.

“Në maj bëhen 20 vjet të kontributit tim në RTK, e për këtë nuk do të flas shumë, pasi flasin të gjithë ata që më njohin dhe kanë pasur rastin të punojnë me mua, dhe te ma njohin profesionalizmin dhe perkushtimin ne pune”, vijon Arifaj në reagimin e tij.

“Për të “Notuar” duhet të jesh keqpërdorues, pa përvojë apo edhe “I ngueshëm”. Do të vazhdoj perkohesisht të jap kontributin tim në RTK, në sektorë tjetër, sipas Ligjit të Transmetuesit Publik, gjithnjë duke e ndjekur rrugën ligjore”, shtoi ai.

“Fatkeqësisht në këtë bord të zgjedhur për “Ngarkim”, “Shkarkim” kam menduar se kam edhe miq, të cilëve nuk ua kam kërkuar asnjë favor pasi që nuk kam pasur nevojë, por direktivat janë mbi njerëzillëkun, pavarësisht se sa jetëshkurtër eshte mandati. Jeta eshte me e gjate se nje mandat te nderuar. Shihemi ne sfidat e radhes”, përfundon shkrimi i tij i gjatë në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat