Manifestime të forta homofobie në Parlamentin e Kosovës

Aktuale

Manifestime të forta homofobie në Parlamentin e Kosovës

Më: 29 mars 2022 Në ora: 09:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Kushtetuta e ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual. Megjithatë gjatë diskutimit për mundësinë e martesës mes çifteve homoseksuale në Parlamentin e Kosovës pati shumë gjuhë urrejtjeje dhe homofobi.

Kushtetuta e Kosovës i mbron të gjithë nga diskriminimi. Por kur bëhet fjalë por martesën kushtetuta nuk shkon aq larg sa do komuniteti LGBTQI. Fjala është për të gjitha çështjet që loidhen me partneritetin mes personave LGBTQI, të drejtat dhe detyrimet e tyre para shtetit dhe mundësinë e birësimit të fëmijëve.

Projekt-kodi që nuk u votua në Parlamentin e Kosoves nuk lidhej me mundësimin e martesave të të njëjtit seks. Madje as bashkësitë e regjistruara civile. Por do t'i hapte rrugën një ligji të posaçëm që do t'i mundësonte këto të fundit.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

26-vjeçari K.A. nga Prishtina, pjesëtar i komunitetit LGBTQI, i cili në të ardhmen dëshiron të martohet dhe të birësojë fëmijë, është i prekur nga mosmiratimi i Kodit Civil.

"Mosmiratimi i Kodit Civil tregon se sa pak mbështetje kemi ne në shoqëri. Unë dua të kem të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës dhee po ashtu të kem edhe familje”, thotë K.A në bisedë me DW.

Projekt-kodi që synonte t'u hapte rrugën për bashkësi civile çifteve me seks të njëjtë, nuk mori votat e deputetëve, madje as të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm 28 deputetë të VV-së votuan pro, 29 votuan kundër dhe të tjerët nuk votuan fare.

Fjalë të ashpra kundër martesave të komunitetit LGBTQI

Në debatin në Kuvendin e Kosovës argumentet e sjella ishin nga më të ndryshmet. U fol për traditën familjare kosovare si dhe shqetësimin për vazhdimin e ekzistencës së species njerëzore. Madje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi - Murtezi, i quajti martesat e gjinisë së seksit të njejtë "shthurje” dhe "degjenerim moral”.

Image
Burim Karameta, deputet i listës "Guxo”

Deputeti i listës "Guxo”, Burim Karameta, tha për DW se lidhur me këtë temë vota e tij do të jetë gjithmonë kundër.

"Unë nuk kam asgjë kundër askujt, por ruajtja e ekzistencës sonë, vazhdimi i llojit tonë, mbajtja e species sonë ka të bëjë me heteroseksualitetin. Nuk ekziston ndonjë formë tjetër që mund ta mbajë llojin tonë. Gjithçka tjetër është devijim i sjelljes. Prandaj gjithmonë do ta kenë votën time kundër.”, tha deputeti Karameta.

Sipas mendimit të përfaqësuesve të OJQ-ve për të drejtat e njeriut dhe të aktivistëve përzgjedhja e fjalëve nuk ishte e përshtatshme për një parlament.

"Komentet kanë qenë tipike në linjë me narrativën homofobike gjithkah nëpër botë duke përdorur tri elemente: moralin, fenë dhe nacionalizmin.”, shprehet aktivisti Vullnet Krasniqi.

Image
Aktivisti LGBTI Vullnet Krasniqi

"Për këtë arsye Kryeministri duhet ta ketë një debat serioz brenda partisë së tij për të ndarë deputetët, të cilët betohen në Kuran dhe deputetët, që betohen në Kushtetutë. Në Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk betohen as në Bibel dhe as në Kuran, por në Kushtetutën e Kosovës. Çdo deputetet që përdor ndonjë ide jashtë Kushtetutës së Kosovës, nuk e ka vendin në Kuvendin e Kosovës.”

Dashuria nuk është sëmundje

Mosmiratimi i Kodit Civil ngriti në protestë dhjetëra qytetarë kosovarë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Ata u mblodhën para Kuvendit të Kosovës duke protestuar me parrulla ku shkruhej "Homofob, nuk ke vend në Kuvend”, "Dashuria nuk është sëmundje”. Sipas tyre të drejtat e njeriut nuk janë luks për t'u lexuar.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

"Jam tmerrësisht e dëshpëruar. U ballafaquam me një numër të madh gjuhe të urrejtjes, paragjykimesh, frikash dhe të pavërtetash, që ekzistojnë ndaj personave LGBTQI në Kosovë. Dashuria nuk është sëmundje, personat e komunitetit LGBTQI janë persona normal si çdo person tjetër.”, tha aktivistja Gresa Ramadani./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat