Mospajtimi Prishtinë-Podgoricë për demarkacionin

Aktuale

Mospajtimi Prishtinë-Podgoricë për demarkacionin

Më: 2 prill 2022 Në ora: 17:20
Nga Prishtina zyrtare thonë se demarkimi s’ka përfunduar

Pushteti në detyrë i Malit të Zi po e konsideron si të kryer punën e demarkimit të kufirit me Kosovën. Derisa nga Prishtina zyrtare thonë se demarkimi s’ka përfunduar dhe se po presin ditë më të qeta në rajon për ta finalizuar një proces të tillë.

Më 29 mars të këtij viti, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, në pritjen që i kishte organizuar ambasadores së re të Kosovës atje, ishte kujdesur që të theksonte çështjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën.

Në një komunikatë që e kishte lëshuar MPJ-ja e Malit të Zi, thuhej që Raduloviq e kosnideron si punë të përfunduar, demarkimin e kufirit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës.

Shefi në detyrë i diplomacisë malazeze kishte thënë se një shembull i mirë i bashkëpunimit është nënshkrimi i marrëveshjes për kufijtë në mes të dy vendeve në vitin 2018 që sipas Raduloviq “në mënyrë të suksesshme ka kompletuar çështjen e demarkacionit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës

Megjithatë nga Kosova konsiderohet si çështje e pambyllur. Kështu ka thënë shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se demarkimi i kufirit me Malin e Zi s’ka përfunduar dhe se po presin ditë më të qeta në rajon për ta finalizuar një proces të tillë.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Raporti fillestar për punën e komisioneve të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Aktualisht Mali i Zi është me qeveri në detyrë pas rrëzimit të Zdravko Krivokapiqit, i cili u konsideruar edhe si një kryeministër pro-serb dhe pro-rus. Në krye të institucioneve të reja pritet të vijë Dritan Abazoviq i cili edhe është nominuar për kryeministër nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat