​Mungesa e deputetëve, nervozohet Konjufca - shtyhet seanca e Kuvendit

Aktuale

​Mungesa e deputetëve, nervozohet Konjufca - shtyhet seanca e Kuvendit

Më: 14 prill 2022 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 16:34 më 14.04.2022
Kuvendi i Kosovës

Mungojnë deputetët, shtyhet për të martën seanca e Kuvendit

Është shtyrë për të martën seanca e Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi në seancë munguan deputetët.

Prezent ishin vetëm 78 deputetë.

“Vetëm 78 deputetë janë në sallë. Shtyhet për të martën seanca. Shihemi atëherë në orën 10:00”, tha Konjufca.

Paraprakisht, kryeparlamentari i paralajmëroi deputetët që nëse nuk i mbledhin edhe 10 deputetë, për t’u bërë 80 gjithsej, do ta ndërpresë seancën e Kuvendit.

“Vetëm 10 minuta i keni afat me i sjellë 10 deputetë”, nervozohet Konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u ka dhënë afat 10 minuta grupeve parlamentare që të mbledhin edhe 10 deputetë për të vazhduar seancën plenare.

Sipas tij, nëse nuk mblidhen deputetët, atëherë seanca ndërprehet.

Konjufca i ka konsideruar joserioze mungesat e deputetëve.

“Vetëm 70 deputetë jemi në sallë. Po ju jap afat grupeve parlamentare që të sjellin 10 deputet, ose unë e ndërpresë seancën sepse kjo është jo serioze dhe shkojmë të martën e vazhdojmë seancën. Prej tash vetëm 10 minuta i keni afat sepse kjo është në të vërtetë joserioze”, tha ai.

Vazhdon seanca e Kuvendit

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri thotë se 100 euro janë të pamjaftueshme, paga duhet të rritet

Dje gjatë ditës Qeveria e Kosovës morri vendim që në disa kategori të caktuara t’u shpërndahet qytetarëve 100 euro shtesë.

Mirëpo më këtë nuk po pajtohet shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri.

Ai në seancën e sotme është shprehur se 100 euro janë shumë e vogël për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, Tahiri tha se Kosova e ka menaxhuar më së keqi ekonominë dhe pandeminë.

“Sa mirë e keni menaxhuar pandeminë, e tregon fakti që në Kosova dhe Bosnja, janë vendet e vetme të cilave nuk u pranohet certifikatat e vaksinave në Bashkimin Evropian. Kjo tregon sa mirë e kemi menaxhuar. S’ka vend në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që ka menaxhuar më keq ekonominë se Kosova’ ’ka thënë Tahiri

Më tutje Tahiri ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji.

“Sa nuk dini të planifikoni e që s’keni strategji e tregon vendimi për ndarjen e 100 milionë eurove. 100 euro janë të pamjaftueshme. Paga duhet me u rritë’’ ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë apel që të sjellet ligji i pagave. Po ashtu ai ka shtuar se gjatë javës tjetër pritet të ketë debat për ligjin e pagave.

PDK paralajmëron kallëzim penal për anëtarët e Bordit të ZRRe-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se do të bëjnë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në rast se të njëjtit nuk mblidhen për të vendosur që tarifat e energjisë elektrike të ulen. 

Tahiri ka thënë se që nga fillimi e kanë kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të tarifave të energjisë. 

“GP i PDK-së që nga fillimi i debatit për shtrenjtimin e energjisë elektrike e kemi kundërshtuar dhe i kemi përdorur të gjitha mjetet e mundshme ligjore qe i kemi pasur në dispozicion në mënyrë që të vijmë deri tek pezullimi e në fund analizimi i këtij vendimi. Sot kur kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave mbi 100% dhe në anën tjetër kemi një deklarim të ZRRE-së që thotë se ky venim nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk do ta zbatojmë ne e kundërshtojmë  këtë vendim”, tha ai. 

Më tutje, Tahiri tha se i bëjnë thirrje Bordit të ZRRE-së që të mblidhen dhe të vendosin për tarifat e energjisë karshi vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ne bëjmë thirrje që Bordi i ZRRE-së të mblidhet sa më shpejtë dhe të jap instruksione që KEDS për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave e jo me këtë të lartin që janë paguar për këta dy muaj.  Në rast se Bordi deri ditën e hënë nuk do të mblidhet për të dhënë instruksione KEDS-it për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave ne si PDK do të bëjmë kallëzim penal për secilin anëtarë të Bordit”, ka thënë ai. 

​Muja: Qeveria Kurti rriti transferet sociale 30% më shumë se ish-Qeveria Hoti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se Qeveria Kurti ka rritur transferet sociale 30 për qind më shumë se ish-Qeveria Hoti dhe 47 për qind se ajo Haradinaj.

Duke i quajtur të nevojshme shtesat prej 100 eurosh, deputeti Muja tha se ato do të ndihmojnë të adresojnë presionin e inflacionit në vend.

Muja: Shtesat e këtij viti do të ndihmojnë të adresojnë presionin e inflacionit

“Qeveria Kurti qe nga ardhja në pushtet ka rritur transferet sociale 30 për qind, krahasuar me qeverinë paraprake Hoti apo 47 për qind më shumë se Qeveria Haradinaj në vitin 2019. Këto transfere sociale janë të dizajnuara sipas programit të Lëvizjes Vetëvendosje. Shtesat e këtij viti do të ndihmojnë të adresojnë presionin e inflacionit në vend. Të gjitha këto transfere janë bazuar në performancën e mirë të Qeverisë Kurti dhe çdo cent shtesë që është mbledhur do të shpërndahet te shtresat që kanë më së shumti nevojë”, tha ai. 

Tërheqja e Trustit, Tahiri i AAK-së ka një kërkesë për kryeministrin Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar një qëndrim të saktë nga kryeministri Albin Kurti lidhur me propozimin për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Ai tha se për këtë propozim ka mbështetje tek deputetët. 

“Një qëndrim të saktë të qeverisë apo të kryeministrit nuk e kemi dëgjuar ende për sa i përket Trustit. 

Ne mendojmë që janë pjekur kushtet që të kalojmë Ligjin që mundëson tërheqjen e një pjese të Trustitt, duke qenë se Qeveria nuk është duke vepruar për të ndihmuar qytetarët me veprime të tjera që lidhen me lehtësimin e gjendjes së rendë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

 

​Nuk kalon rezoluta për rritjen e çmimeve, shtyhet sërish Projektligji për festat zyrtare

Në seancën e sotme parlamentare, me propozimin e deputetit Fridon Lala sërish është shtyrë për një seancë të ardhshme shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se për këtë projektligj, kërkohet miratimi nga dy të tretat e deputetëve, duke përshirë edhe minoritetet.

Konjufca: Kërkohet ta ketë miratimin e dy të tretave të pakicave

“Po e hapim një pikë të 24 shkurtit, ka mbetur Projektligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Ky është ligj po ashtu i interesit vital, duhet ta ketë miratimin e dy të tretave të pakicave”, tha ai.

Po kështu, ka dështuar të marrë “dritën e gjelbër” rezoluta nga debati parlamentar mbi rritjen e çmimeve, pasi vetëm deputetë ishin pro, asnjë kundër dhe 63 abstenime.

Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ka Formuar Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Derisa zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb është shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

Selmanaj ka një pyetje për Kurtin: A mendon ende që kushdo që e shkel Kushtetutën është superkriminel!?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj e ka pyetur sot kryeministrin Albin Kurti se a vazhdon të mendojë që kushdo që e shkel Kushtetutën e Kosovës është superkriminel.

Kjo pasi Kushtetuesja gjeti se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë shkelje kur është përzier në reformën në arsim të nisur nga ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Dua ta marrë një referencë se çfarë ka thënë z.Kurti në vitin 2015:  Kush e shkel Ligjin është kriminel, por ai që e shkel Kushtetutën është superkriminel. E ka pas fjalën për kryeministrin Mustafa. Dhe ka thënë nuk ka kriminel më të madh në burgjet e Kosovës sesa kryeministri i Kosovës që e ka shkel Kushtetutën. A vazhdon me mëndu edhe sot që kushdo që e shkel Kushtetutën është kriminel, superkriminel”, ka thënë Selmanaj. 

Ai tha se qeveria Kurti përfshirë edhe atë të parën e kanë shkelur katër herë Kushtetutën. 

“Ne kemi qeverinë Kurti e cila për një vit të qeverisjes së tij, përfshirë edhe periudhën e qeverisë Kurti 1, katër herë është shkelës i Kushtetutës. Në Qeverinë Kurti 1 dy herë e ka shkelur Kushtetutën si pasojë e masave kundër pandemisë, dhe GJK e ka konstatuar këtë. Asnjë lëvizje dhe asnjë përgjegjësi politike nga kryeministri Kurti. Së fundmi kemi edhe dy aktgjykime të tjera. Një që lidhet me mazhorancën në Kuvend që ka të bëjë me shkarkimin e Këshillit Mbikëqyrës si grup kolegjial dhe së fundmi ministrja Nagavci si shkelëse e kushtetuese”, tha më tutje Selmanaj. 

Kritika pati edhe për dërgimin e një letre nga MASHT në Kushtetuese e ku kërkohen prova se pse është marrë vendimi ndaj Nagavcit, javën e kaluar. 

“MASHT I ka dërguar një letër Kushtetueses e ku i kërkon prova se si ka ardhur deri tek ky vendim I GJK-së. E pabesueshme veç për ta mendu e jo për më ndodh në një sistem demokratik. Kjo është skandaloze”, tha ai.

​Mes kritikave nga opozita, miratohet projektligji për racionalizimin Agjencive të Pavarura

Kuvendi pas një debati të gjerë të zhvilluar sot në seancën parlamentare, ka votuar me 64 vota për projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, të cilin e ka arsyetuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ky projektligj u kritikua nga opozita dhe pati edhe përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetët nga PDK-ja kanë kritikuar ministrin e Brendshëm, se me anë të këtij projektligji po e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut.

Derisa deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj, ka thënë se ministri Sveçla nuk është kompetent të hartojë këtë projektligj.

Ai tha se për racionalizim nuk jep të drejt një ministri që flet për policinë, me treguar se si rregullohen institucionet e kulturës. Derisa ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti t’i kushton rëndësi kapaciteteve dhe resurseve njerëzore që draftojnë iniciativa të tilla.

Madje ai tha se kushdo që ia prek statusin Agjencisë për ndihmë juridike falas, e prek Kushtetutën.

Selmanaj: Ministri që flet për policinë nuk ka të drejt të tregoj si rregullohen institucionet e kulturës

“Kjo praktikë jo që është e mbrapsht, por s’ka asnjë kuptim. Racionalizimi i agjencive mund të jetë objektivë, nuk mund të transformohet në ligj special. Të gjithë jemi që të kemi kujdes dhe në qasje për të racionalizua ekzistimin e shumë agjencive të pavarura në Kosovë, që për nga statuti vërtet duan sqarim. Kemi agjenci ekzekutive brenda qeverisë, kemi agjenci që i raportojnë kuvendit, kemi agjenci rregulluese që janë të tepërta, edhe për nga numri, edhe për nga forma e funksionimit. Por, kjo në kuptim të idesë, për racionalizim nuk jep të drejt një ministri që flet për policinë, të na tregoj tash se qysh institucionet e kulturës me u rregulluar, qysh statusi i tyre me ndryshua. Por, kjo është e pakuptimtë, besoni. Unë kam një kërkesë për kryeministrin, jo për ministrin. Kryeministër të lutem, kushtoju rëndësi kapaciteteve dhe resurseve njerëzore që draftojnë iniciativa të tilla. Mos na sillni në kuvend në këtë situatë, sepse kjo është e pa kuptimtë. Duhet njerëz profesionist të fushave të caktuara t’i trajtojnë këto çështje”, theksoi ai.

Deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku duke kundërshtuar këtë projektligj, tha se ministri Sveçla po vepron sipas tekeve të tij.

Lushtaku: Ministri i Brendshëm po na kthen në kohën e UNMIK-ut

“Shprehim kundërshtimin tonë, dhe shohim realisht që ministri i Punëve të Brendshme po na kthen në kohën e UNMIK-ut, se nuk po ka as praktikë më të mirë parlamentare dhe po donë me vendos vetëm si i teket atij”, tha ai.

Megjithatë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalzimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e llogaridhënies së agjencive.

Sveçla: Përfitimet nga racionalzimit ngritin cilësinë e shërbimeve dhe rritjen e llogaridhënies së agjencive

Përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalzimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e llogaridhënies së agjencive dhe dinamizimin e punës së këtyre institucioneve. Prandaj, kërkoj që ta mbështesni këtë projektligj dhe reformimin e administratës publike”, tha ai.

Kundër këtij projekligji janë shprehur edhe grupi parlamentar i AAK-së, ku sipas deputetit, Besnik Tahiri, opinioni i Zyrës Ligjore, e qartëson në mënyrë të qartë.

Tahiri: Nuk mundeni me një ligj të vetëm me riorganizua katër ligje të tjera

“Ne jemi në një situatë ku fatkeqësisht e kemi një opinion të Zyrës Ligjore, që na thotë në mënyrë eksplicite; “Nuk mundeni me një ligj të vetëm me riorganizua katër ligje të tjera”, theksoi ai.

Derisa deputeti nga VV-ja, Adnan Rrustemi vlerësoi se kjo praktikë nuk është e panjohur për vendin.

Madje, për deputetin Selmanaj, ai tha se ka aftësi për ta bërë ‘lëmsh’ materien.

Rrustemi: Nuk është praktikë e panjohur

“Kjo nuk është praktikë e panjohur në vendet demokratike, mdaje viteve të fundit ka ardhur për të ndryshuar edhe për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike. Në anën tjetër nuk është e panjohur as për Kosovën, nuk është vërtet që është përdorur vetëm në një rast, është përdorur së paku në dy raste, ka ndodhur me Projektligjin për Rimëkmëbje Ekonomike… Deputeti Driton Selmanaj, e ka një prirje të veçantë, e kjo është aftësia për ta bërë ‘lëmsh’ materien”, theksoi ai.

Në replikë, deputeti Selmanaj, tha se ka aftësi t’i jap zgjidhje situatave, jo për t’i bërë ‘lëmsh’.

Selmanaj: Kam aftësi për të dhënë zgjidhje situatave, jo ‘lëmsh’

“Unë prita që deputeti Rrustemi të flet për atë se çfarë mendon për mua, ta thotë atë çfarë mendon në Komision, sepse në komision shpesh herë më jep shumë punë për të kryer, në kuptimin e asaj që unë i jap zgjidhje situatave, jo i bëj ‘lëmsh’. Në publik po thotë diçka tjetër, tash mua po më dalin dy Adnan”, tha ai.

Në fund ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se janë tri opinione ligjore të cilat mbështesin këtë metodë.

Ai tha se për këtë qasje kanë një mbështetje edhe nga Zyra Bashkimit Evropian.

Sveçla: Kemi mbështetjen e Zyrës së BE-së për këtë qasje

“Janë tri opinione ligjore, të cilat mbështesin këtë metodë, është departamenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyra Ligjore e ZKM-së dhe Zyra për Planifikim Strategjik. Plus është mbështetja e Zyrës së BE-së për këtë qasje, po ashtu të gjitha ministritë janë konsultuar dhe ka pajtueshmëri të plotë me to”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat