Partitë jo parlamentare kërkojnë uljen e pragut zgjedhor

Aktuale

Partitë jo parlamentare kërkojnë uljen e pragut zgjedhor

Më: 20 prill 2022 Në ora: 17:48
Pamje nga takimi

Partitë e vogla në Kosovë po kërkojnë uljen e pragut zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe financimin e subjekteve politike jo parlamentare.

Në një dëgjim publik për ndryshim-plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, përfaqësuesit e këtyre partive kërkuan edhe zbritjen e shumës së gjobave për subjektet politike.

Ndërkaq, Bekim Gashi nga partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, theksoi se kjo parti përkrah projektligjin e sjellë nga qeveria, pasi që sipas tij, avancon bazën ligjore dhe rritë transparencën si dhe llogaridhënien e subjekteve politike.

Megjithatë, për shpenzimet që për secilin e aktivitet duhet të raportohen në fund të muajt, Gashi tha se kjo është procedurë burokratike.

“Si Vetëvendosje e përkrahim projektligjin e propozuar nga qeveria. Mendoj se ky projektligj e avancon bazën ligjore dhe rrit transparencën si dhe llogaridhënien e subjekteve politike. Por, do të kisha përmendur dy çështje që më shumë janë teknike, për të cilat mendoj se do të ishte mirë të shqyrtohen ose të ridefinohen nga Grupi punues i Komisionit. E para ka të bëjë me kufizimin e subjekteve politike për të pasur një llogari bankare, pra një llogari të vetme bankare. Po ashtu, është edhe një çështje tjetër që duhet të ridefinohet – është te shpenzimet për secilin aktivitet që kërkohen të raportohen në fund të muajit. Kjo i kufizon partitë politike në punën e tyre, kështu që më shumë është një procedurë burokratike”, theksoi ai.

Në këtë dëgjim publik të organizuar nga Komisionin për Buxhet, Punë dhe Tranfere, Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë ndryshimi i Ligji për zgjedhjet është antikushtetues, ndonëse ligji për financimin e partive është i nevojshëm për një reformë.

Me këtë plotësim-ndryshim të ligjit, Gjoshi tha se cenohet rëndë autonomia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Ne do të kemi tendencë të gjithë që ta rrisim transparencën te çështja e financimit të partive politike edhe t’i bëjmë të implementueshme ligjet. Mendoj se si i tillë Ligji (projektligji) është antikushtetues. Drafti i propozuar cenon rëndë autonominë e Komisionit Qendror Zgjedhor. Kështu cenon rënd edhe funksionimin e subjekteve politike dhe vështirëson punën e tyre… Ka gjoba të larta që janë të papërballueshme, një gjobë mund të shqiptohet deri në 40 mijë euro është e papërballueshme për një parti që ka një deputet në kuvend ose edhe për një që nuk ka deputet… Ne propozojmë të shikohet mundësia që Ligji të bartet te pjesa e pakove të ligjeve për zgjedhjet. Nuk është mirë që me copëza të ndryshohen ligjet. Nëse nuk gjendet ky vullnet, të paktën Ligji për zgjedhjet të përgjithshme në asnjë mënyrë nuk duhet të ndryshohet në fazë, sepse është antikushtetues drafti i propozuar”, tha ai.

Ndërsa, Çerkin Dukolli nga Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që të rregullohet financimi i partive politike nga shteti edhe për partitë që nuk e kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Ai ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ketë prag 5 për qind për përfshirjen e partive në parlament.

“Kurrë më tepër se sot, shteti, organi ligjvënës duhet të hartojë politika publike të cilat do të ndihmojnë partitë politike për funksionimin e tyre, e kam fjalën te financimi që duhet të bëhet nga shteti për partitë politike edhe sa i përket aktivitetit të tyre dhe gjatë fushatës zgjedhore, dhe të mos bëhet financimi vetëm për partitë politike që kalojnë pragun 5 për qind… Sa i përket ligjit zgjedhor, kemi parë që keni forcuar shumë mirë Zyrën për regjistrim, kontroll, monitorim dhe financim të partive politike, përderisa nuk iu ka shkuar vëmendje te financimi i partive politike… Sot për mendimin tonë nuk ka kuptim pragu zgjedhor 5 për qind”, theksoi ai.

Heqjen e pragut 5 për qind e ka kërkuar edhe Zef Morina nga Partia Shqiptare Demokristiane.

“Partitë e vogla janë diskriminuar me qëllim për t’i përjashtuar e për t’i obliguar të hyjnë “nën sqetulla” të partive të mëdha dhe në këtë mënyrë është bërë një shkelje flagrante e Kushtetutës. Ne kërkojmë heqjen e pragut prej 5 për qind, dhe nuk duhet të jetë më shumë se 2 për qind. 1 për qind ka qenë në kohën e kornizës kushtetuese”, tha Morina.

Nol Nushi nga PSD-ja tha se projektligji në fjalë nuk është në frymën e demokracisë. Teksa tha se me këtë projektligj ka një qasje sikur partitë politike janë organizata kriminale.

“Fryma e ligjit nuk po më duket që i përshtatet një fryme për demokracinë, sepse po më duket që është evidente një kontroll dhe sanksionim. Ka një qasje thuajse partitë politike janë organizata kriminale për të cilat ne duhet kujdes për monitorim deri thelb se mos po ndodhin keqpërdorime. Ne po flasim për një fond prej 5 milionë eurosh, i cili ndahet mes disa partive politike që e kanë kaluar pragun. Kjo formë e ndarjes së këtyre fondeve favorizon partitë e mëdha dhe është në dëm të demokratizimit të shoqërisë. Sot subjekti më i madh në Kosovë i merr dy milionë euro në vit”, tha Nushi.

Ndërsa, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim tha se partitë e mëdha përfitojnë në kurriz të partive të vogla, kjo praktikë ai ka kërkuar të ndryshohet.

“Partitë e vogla vërtet janë të diskriminuara dhe partitë e mëdha të cilat e kanë kaluar pragun përfitojnë një pjesë të fondit për mbështetjen e subjekteve politike në kurriz të partive të vogla. Kjo ndikon që të ‘mbyten’ krijimi i partive politike si një e drejtë elementare e organizmit”, tha ai.

Për ankesat e partive se gjobat janë të larta, pati një përgjigje përfaqësuesja e KQZ-së Mergita Kryeziu. Sipas saj, gjoba nga 4 mijë deri 40 mijë euro është shumë e vogël.

“Ne kemi vërejtje te neni 21 për dispozitat ndëshkuese, megjithëse të gjithë përfaqësuesit e partive politike u ankuan për ato dispozita, ndërsa neve na duken të vogla (gjobat). Gjoba nga 4 mijë deri 40 mijë është shumë e vogël… Prandaj, ne mendojmë të mbetet si në Ligjin paraprak”, tha ajo.

Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, javë më parë është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat