Motra e Ukshin Hotit: Jam e “stërzhgënjyer” nga institucionet e Kosovës

Aktuale

Motra e Ukshin Hotit: Jam e “stërzhgënjyer” nga institucionet e Kosovës

Më: 27 prill 2022 Në ora: 23:54
Myrvete Hoti- Kosumi

Pikërisht në ditën e të zhdukurve, motra e veprimtarit, Ukshin Hoti, Myrvete Hoti- Kosumi, tha se është e “stërzhgënjyer” nga institucionet e Kosovës, pasi që ka shpresuar se çështja e të zhdukurve do të jetë çështja e parë që do të bisedohet në dialogun me Serbinë.

Ajo bëri të ditur se po ashtu ka kërkuar kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë  me çështjen e personave të pagjetur.

Hoti më tej tha se familjarët të cilët ende nuk dinë për fatin e të zhdukurve, nuk e kanë gëzuar asnjëherë lirinë e Kosovës.

“Jam e “stërzhgënjyer” nga institucionet e Kosovës, sepse kam shpresuar që menjëherë pas luftës kjo çështje do të jetë në rendin e parë të bisedimeve. Kam kërkuar për të kushtëzuar çështjen e bisedimeve me Serbinë për personat e zhdukur. Sepse pa i qetësuar shpirtrat e njerëzve të cilët vuajnë vazhdimisht dhe nuk e kanë gëzuar asnjëherë lirinë e Kosovës, e nuk kanë gëzuar as festa, prandaj nuk është në rregull të jetë kështu një pjesë e njerëzve e cila nuk është e vogël”, tha Hoti në emisionin “Infonata” .

Gjithashtu, ajo u shpreh se ende shpreson të marrë ndonjë lajm për vëllain e saj Ukshin Hoti, qoftë nga ndonjë telefonatë, apo nga ndonjë vizitë nga dikush i panjohur.

“Nuk ka laps as letër që mund ta përshkruajë një gjendje të tillë, shpesh unë personalisht vetveten e kam konsideruar sikurse ushtarin në kufi kur e ruan kufirin dhe është gjithmonë në gjendje gatishmërie se mos po hyn dikush befas. Ashtu kam pritur, dhe ashtu jam duke pritur ende, edhe telefona kur cingërojnë, edhe njerëzit kur vinë të panjohur, mua menjëherë më shkon mendja se ka ardhur dikush të më japë ndonjë lajm për vëllain, Ukshin Hoti”, u shpreh ajo.

Myrvete Hoti- Kosumi tha se në momentin kur djali i Ukshinit, Andin Hoti, doli në krye të Komisionit për personat e zhdukur, e ka ndjerë një lehtësi shpirtërore. Sepse sipas saj, ndjenja do ta detyrojnë Andinin ta kërkojë bababin e vet.

“Në krye të Komisionit për personat e zhdukur është djali i Ukshin Hotit, dhe prej momentit kur Andini e ka marrë përgjegjësinë për çështjen e të zhdukurve, unë e kam ndjerë një lehtësi shpirtërore ngase është një njeri i cili e ka babë Ukshinin, dhe deshti apo nuk deshti, vetë ndjenja e shpirtit do ta detyrojë të kërkojë babin e vet”, tha tutje Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat