A do ta bëjë obligative Kosova edhe dozën e katërt të vaksinës kundër COVID?

Aktuale

A do ta bëjë obligative Kosova edhe dozën e katërt të vaksinës kundër COVID?

Më: 30 prill 2022 Në ora: 10:15
Ilustrim

Numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë ka pësuar rënie, por masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë kundër këtij virusi kanë mbetur të njëjtat.

Nga ky dikaster kanë thënë se mekanizmat kundër Covid-19  do të vendosin për masat e mëtejme.

Nga MSH-ja kanë thënë se ende nuk ka ndonjë vendim nëse do të nisë edhe dhënia e dozës së katër të vaksinës kundër këtij virusi.

 “Mekanizmat kundër COVID-19 do t’i shqyrtojnë masat në fuqi të cilat janë vendosur në fillim të marsit dhe të japin propozimet e tyre për më tej, sidoqoftë për vaksinën e katërt ende MSH-ja nuk ka ndonjë vendim”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Që të parandalohet rritja e rasteve, MSH-ja u bënë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Covid-19.

“MSH-ja u bënë thirrje qytetarëve që të zbatojnë cilëndo masë që është në fuqi dhe të vaksinohen kundër COVID-19, sepse shtete të ndryshme të botës po regjistrojnë edhe gjatë këtyre ditëve numër të lartë të rasteve të reja të COVID-19”, thuhet në përgjigje.

Masat aktuale për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 janë në fuqi që nga data 1 mars të 2022-së.

Infektologu Ramadani: Mosinteresimi për vaksinim rritë mundësinë për një valë të re të COVID-19 në Kosovë

Me rënien e rasteve pozitive me COVID-19, ka rënë edhe interesimi për vaksinim kundër këtij virusi.

Por, këtë interesim të ulët për vaksinim eksperti i kësaj fushe po e sheh si një mundësi për një valë të re të coronavirusit.

Infektologu Hamdi Ramadani ka paralajmëruar rritje të rasteve me këtë virus.

“Rënia e rasteve në këto momente duhet shikuar në shumë aspekte, së pari shumë qytetarë kanë rënë në kontakt me COVID dhe kanë krijuar imunitet mbrojtës, së dyti një numër po ashtu I madh qytetarësh kanë marr vaksinën dhe janë imunizuar me dozën e dytë e disa edhe dozë përforcuese, kujdesi i qytetarëve tani është ngritur ndaj virusit, por e keqja është që ende nuk është bërë vaksinimi më i madh në popullatë se nuk ka shumë interesim, kjo mund të paraqet një rritje të lartë të rasteve në javët vijuese”, potencoi Ramadani.

Sipas Ramadanit, masat që janë në fuqi nuk duhet të ndryshohen deri sa të imunizohet 70 % e popullsisë.

“Virusi COVID do të jetë I pranishëm dhe se duhet të shkohet në vaksinimin dhe imunizim në çdo vite ashtu si për gripa, largimi I masave nuk duhet të ndodh duhet ti kemi ende në fuqi deri të arrihet imunizimi mbi 70% më së paku dy doza e të vaksinës anti-COVID dhe po ashtu maskat të përdoren në vende të mbyllura”, u shpreh Ramadani.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.825.885 doza të vaksinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat