Kurti-Vuçiq në Berlin, Gjermania përfshihet në dialog?

Aktuale

Kurti-Vuçiq në Berlin, Gjermania përfshihet në dialog?

Më: 2 maj 2022 Në ora: 19:45
Aleksander Vuҫiq dhe Albin Kurti

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se më 4 maj, i dërguari i posaçëm për dialog, Mirolsav Lajҫak, do të zhvillojë një takim joformal me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuҫiq.

Sipas fjalëve të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ky takim joformal ka për synim mbështetjen e dialogut mbi normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Takimi, ndryshe, po zhvillohet me angazhimin personal të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili, më 4 maj, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin kosovar e, më pas, me presidentin serb.

Siҫ merret vesh nga burimet mirë të informuara, kancelari gjerman do t’ua bëjë të qartë palëve se pritjet për debllokimin e procesit të dialogut në nivelin më të lartë politik nisin që pas darkës joformale dhe se priten takime të rregullta në Bruksel me qëllim të shtytjes së gjërave përpara.

Diplomatët evropoianë tërheqin vërejtjen se ftesa që kancelari gjerman ua ka bërë kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuҫiq, vjen në momentin kur i pari i qeverisë gjermane është i mbingarkuar me angazhime, sidomos me ato që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë.

Ҫështja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është  vendosur lart në agjendën e Berlinit zyrtar, ndërsa momenti i ftesës është dëshmi e qartë se kancelari gjerman është i gatshëm që të angazhohet personalisht në këtë çështje, kanë pohuar disa diplomatë evropianë.

Tërhiqet vërejtja, njëkohësisht, se më së paku dëshirohet që pas kësaj darke palët të kthehen në vendet e tyre e të mos jenë të gatshëm t’i lëvizin gjërat në dialog.

Ajo ҫfarë dëshiron të shohë Bashkimi Evropian, por edhe Gjermania, janë lëvizjet pozitive, së paku në tri marrëveshje:  për energjetikën, për të pagjeturit dhe për targat e automjeteve.

Zyrtarët evropianë konfirmojnë se teksti i marrëveshjeve për energjetikë dhe të pagjeturit janë gati të finalizuara dhe duhen ca detaje gjuhësore në mënyrë që këto të marrin vulën politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat