Cili është kuptimi i parullës “Jo negociata, Vetëvendosje”?

Aktuale

Cili është kuptimi i parullës “Jo negociata, Vetëvendosje”?

Më: 4 maj 2022 Në ora: 23:58
foto ilustrim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj, ka shpjeguar kuptimin e parullës “Jo negociata, Vetëvendosje”, e përdorur aktivisht nga partia e tij në kohërat e saj opozitare.

Kjo parullë, u soll në kujtesë veçanërisht sonte, pas një fotografie që e publikoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku shihet së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti para takimit në darkën joformale në Berlin. Pas publikimit të fotografisë, plasën reagimet, duke ia rikujtuar VV-së e Kurtit parullën e vjetër dhe qëndrimet e vjetra opozitare.

Deputeti Rexhaj ka thënë se sulmet e sontshme ndaj VV-së nuk janë të drejta, pasi sipas tij, takimi dhe fotografia janë publike dhe jo sekrete.

Ai ka thënë se parulla “Jo negociata, Vetëvendosje” nuk thërriste kundër bisedimeve, por kundër kompromiseve në dëm të Kosovës.

“Kur kemi thanë jo negociata, ne kemi thënë jo kompromise me Serbinë. Atëherë kemi thënë me Serbinë mund të bisedohen me shumë tema, por jo kompromise në kurriz të Kosovës. Gjithmonë kemi thënë kështu”, ka thënë ai.

Madje, sipas Rexhajt, në këtë kohë është hipokrizi t’i thuhet jo negociatave.

“Është hipokrizi, nga perspektiva e ditëve të sotshme, që një kryeministër t’i thotë jo negociatave në kuptimin blanko, sepse do ta dëmtonte Kosovën. Ajo që po bisedojmë me Serbinë nuk është Kosova. Ma thuani një temë që e kemi biseduar në dëm të Kosovës”, ka theksuar Rexhaj.

Rexhaj ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet bllokuese e dialogut, por sipas tij, qeveria nuk do të lëshojë pe në cenimin e territorit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat