Reagon Çitaku pas anulimit të konkursit në KEK

Aktuale

Reagon Çitaku pas anulimit të konkursit në KEK

Më: 6 maj 2022 Në ora: 17:48
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar vendimin e anulimit të konkursit për punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Çitaku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se kjo ka ndodhur një ditë pas themelimit të komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e PDK-së, ku pritej të hetoheshin edhe punësimet në KEK.

“Rezultatet e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar tashmë po vërehen. Vetëm një ditë pas themelimit të komisionit, KEK-u anuloi konkursin përmes së cilit u punësuan shumë militantë të VV-së”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.

KEK-u të premten njoftoi nëpërmjet një komunikate se ka anuluar konkursin e punësimit për 127 pozita me rekomandim të komisionit të pavarur.

“Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, u bë e ditur në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat