Kënd mund ta hetojnë dy Komisionet e Kuvendit për Energjinë?

Aktuale

Kënd mund ta hetojnë dy Komisionet e Kuvendit për Energjinë?

Më: 11 maj 2022 Në ora: 10:04
Foto ilustrim

Krijimi nga Kuvendi i Kosovës i dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike, njëri i propozuar pozita dhe tjetri nga opozita, pritet t’i hapë rrugë nxjerrjes në shesh të shumë probleme që kanë qenë për mbi 15 vite në sektorin energjetik në vend.

Kosova llogaritet në vendet e para për rezerva me thëngjill, por që nga pas lufta nuk ka arritur të kritikojë një stabilitet të furnizimit me energji elektrike.

Edhe pse ka pasur disa tentativa për të ndërtuar një termocentral të ri, për shkak të shumë problemeve, kritikave të ambientalistëve dhe lobistëve të ndryshëm, projekti i TC-së ka mbetur vetëm në letër.

Dy termocentralet e Kosovës, që janë tani në funksion ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, me blloqet e tyre nuk kanë arritur të përmbushin 100 % nevojat e kosovarëve për furnizim stabil të energjisë elektrike.

Dy komisionet që janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës, nëse do të mund të nxjerrin në pah problemet që i ka pasur Kosova, do të fillojnë punën nga koha e Ish-UNMIK-ut, në vitin 2006 e që për lidershipin e Kosovës ishte kohë bisedimesh dhe parapërgatitje për statusin e Kosovës.

Pothuajse të gjitha partitë politike që nga vitit 2006 kanë qenë pjesë e qeverive në Kosovë. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka kohë të shkurtër që udhëheq me qeverinë, individë të saj kanë qenë pjesë e qeverive të kaluara.

Në kuadër të komisioneve hetimore të krijuar nga Kuvendi i Kosovës, do të jenë shumë persona të cilat kanë pjesë nëpër sistemin energjetik të Kosovës, siç janë:, ZRrE, KEK, KOSTT, KEDS etj.

Komisionin Hetimor për Energjinë të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, afati kohor për hetim do të jetë prej vitit 2006, atëherë kur në Kosovë ishte drejtues i vendit, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve në Kosovë (PSSP) .

Nga viti 2006, dy Komisioni Hetimorpër Energjinë i votuar me propozim të pozitës, do të mund të hetojnë disa nga këta persona apo dhe të tjerë: Ethem Çeku, Pranvera Dobruna, Remzi Shahini, Nagip Krasniqi, Fadil Ismajli, Justina Shiroka – Pula, Blerand Stavileci, Valdrin Lluka, Besim Beqaj, Blerim Kuqi, Artane Rizvanolli, Arben Gjukaj, Njazi Thaçi, Luigj Imeri, Berat Rukiqi e persona të tjerë. 

Të gjithë këta kanë qenë në krye të dikastereve që kanë pasur të bëjnë me energjetikën.

Një hetim i cili do t’i marrë më shume kohë ka të bëjë me shitjen e distribucionit të energjisë elektrike si dhe shitjen e hidrocentraleve, për të cilat ka pasur më shumë debat. Komisioni do të ketë punë me Besim Beqaj, ish kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Lorik Fejzullahu. Problemi i shitjes së distribucionit ka qenë shpesh “mollë sherri”, me VV-së dhe pozitës e cila në kohën e shitjes së tij ishte në opozitë.

Ndryshe sistemi energjetik i Kosovës ka funksionuar nga këto institucione: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) u themelua në qershor 2004, organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në Sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (Ky traktat është nënshkruar nga Bashkimi Evropian dhe nëntë partnerë nga Evropa Juglindore në Athinë në muajin tetor 2005 për krijimin e kornizës ligjore për një treg të integruar të energjisë).

Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

KOSTT SH.A. është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 % të aksioneve shtetërore. Sipas Ligjit për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS) pronë e kompanive turke Çalik Holding dhe Limak ka nisur operimet më 8 maj 2013, pas shitjes me 26 milionë euro nga qeveria e Kosovës. Në bazë të licensave nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës.

KESCO - Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike e themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumi Limak-Çalik, është kompani që ka epitetin e furnizuesit publik të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat