Zelenski apo Skënderbeu?! / Perandoria Ruse do shuhet!?

Aktuale

Zelenski apo Skënderbeu?! / Perandoria Ruse do shuhet!?

Nga: Idriz Morina Më: 15 maj 2022 Në ora: 20:03
Forcat perëndimore të gatshme kundër Rusisë

Ukraina është kthyer në fushëbetejën e përplasjes së Lindjes dhe Perëndimit. Kjo na kujton neve më shumë se çdo populli tjetër përplasjen e Lindjes me Perëndimin në tokat shqiptare, gati gjashtë shekuj më parë.

Por, gjërat atëherë gjithsesi ishin ndryshe. Mungonte informacioni i shpejtë, komunikacioni i shpejtë, teknika superiore, mungesa dhe kompensimi i vështirë i ushqimeve, veshmbathjeve dhe përplot gjërave të tjera.

Shqiptarët, të udhëhequr nga kryeheroi i tyre, thuajse ishin vetëm, për dallim nga Zelenski heroi i Ukrainës, që po ndihmohet, nëse jo nga e gjithë bota, sigurisht nga më shumë se gjysma e fuqisë së saj ushtarake, teknologjike, ekonomike, e parasë dhe e dijes, dhe se di se e çkafit tjetër jo.

Shqiptarët në rastin më të mirë mund ta dërgonin një përfaqësues dhe një letër të shkruar nga Skënderbeu me shpresë që ajo të binte drejtpërdrejt në duart e Papës dhe vërtetë të lexohej e shqyrtohej nga ai vetë. Vetëm dërgimi i këtij mesazhi mund të merrte së paku një javë apo edhe disa javë të plota. Por, vendimmarrja që nuk merrej dot atëherë, sa kohë i duhej? Sigurisht disa javë dhe muaj të tjerë. Pra, një sulm i shpejt perandorak i turqve mund të kryhej para se të fillonin të arrinin ndihmat e para, qoftë ushtarake, në para, teknikë apo në ushqim e veshmbathje.

Pra, ndihmat e kërkuara në perëndim në shenjë të aleancës kundër osmanlinjve, përveç se vonoheshin shumë, ato shpesh nuk jepeshin fare.

Image
Portret i Skënderbeut

Skënderbeu mbi Zelenskin

Sa i përket krahasimeve të Zelenskit me kryeheroin shqiptar, por mbase edhe europian, janë të paqëndrueshme, edhe për shkak të vetë ndryshimeve të mëdha në kohë.

Skënderbeu ishte ai që e udhëhiqte strategjinë e luftës së shqiptarëve, diplomacinë dhe vetë luftën, duke i prirë me krahët e tij, duke vrarë ndoshta më shumë se kushdo tjetër ushtarë turq, dhe mbase mund ta ketë rekordin botëror, pasi për 25 vjet luftë vetëm me Perandorinë Osmane nuk njohu asnjë humbje, pastaj luftën me Venedikun, luftërat përkrah mbretit napolitan, dhe mos të përmendim luftërat e pafund kur ishte pjesë e ushtrisë osmane, në Azi dhe Evropë. Pra, një karrierë luftarake rreth gjysmë shekulli.

Image
Zelenski me parzmore

Zelenski nuk merrë pjesë dot në luftë, sepse edhe ashtu në luftërat moderne prijësit nuk dalin në front;

Zelenski nuk e bën dhe nuk di të bëjë asnjë strategji luftarake, sepse nuk ka formim ushtarak;

Zelenski madje as diplomacinë nuk e bën dot vet, sepse rrethanat janë të atilla, dhe mbështetja e Perëndimit është aq e madhe, veçanërisht e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, sa që ai më shumë është një folës apo spiker;

Zelenski nuk ka nevojë të shpërndajë informacione, kërkesën për ndihma, për armatim etj., sepse informimin e bën vetë Perëndimi me përcaktimin e qartë politik, diplomatik, kulturor, ushtarak, ekonomik, teknologjik... se lufta për ta mundur Rusinë, është më e rëndësishme se çdo që gjë thuaja e gëzon sot Perëndimi, në fakt është thuaja e vetmja mundësi për t’i ruajtur dhe trashëguar vlerat europiane;

Zelenski (dhe shtabi i tij) po ashtu informohet me saktësi për lëvizjen e forcave ruse, dhe madje me foto dhe video në kohë reale, i jepet mundësia dhe instruksionet se si dhe me çka t’i sulmojë forcat ruse;

Të gjitha këto Skënderbeu dhe forcat shqiptare duhej t’i bënin vet. Dhuratat ishin të vogla dhe të pamjaftueshme për fitore. Ndërsa, Zelenskit i ndajnë buxhet të jashtëzakonshëm parash, shtetet si SHBA-ja, BE-ja, Gjermania, Franca etj., duke i dhënë aq shumë armë, sa një ditë vërtetë mund ta kenë problem ukrainasit si t’i menaxhojnë.

Popullata shqiptare kur detyrohej të ikte nuk kishte ku t’ia mbante as sesi të ushqehej, në zonat e luftës që i shkretonte Perandoria osmane thuaja në çdo fushatë.

Image
Refugjatët ukrainas

Perëndimi i pret refugjatët e Zelenskit në mënyrën më të mirë, në ushqim, fjetje, veshmbathje, por edhe për shkollim.

Kjo tashmë një traditë e krijuar në Perëndim edhe nga luftërat pushtuese gjenocidale të Serbisë. Veçanërisht pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Natyrisht që të gjitha këto fakte nuk ia ulin figurën e Zelenskit. Ai duke qenë një aktor komik në të shkuarën, njerëzit se kanë marrë shumë seriozisht, duke menduar se ai do të dorëzohej dhe nuk do ti rezistonte presionit rus!

Por jo, ai bëri të kundërtën, u identifikua me popullin dhe fatin e tij, dhe i inkurajoi të gjithë për një luftë të pakompromis me Rusinë dhe po vazhdon ta bëjë këtë me sukses.

Ndoshta dallimi më pozitiv atëkohë ishte se, pavarësisht fuqisë së pamatë të osmanëve, ata nuk kishin bomba bërthamore, me të cilat të mund ta kërcënonin mbretërinë shqiptare, por edhe shtetet tjera të botës.

Zelenski është tashmë një hero i Perëndimit modern, Skënderbeu një hero klasik dhe modern!

Image
Armatimi super-modern i ushtrisë ukrainase i dhuruar nga Perëndimi

Rusia e humbur dhe drejt shpërbërjes

Rusia tashmë ka rifilluar kërcënimet me goditjet më të rrezikshme me bomba bërthamore megatonëshe, me të cilat kërcënon zhdukjen e Finlandës apo me “Poseidonin” zhdukjen e Britanisë së Madhe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg është shprehur i shqetësuar se Rusia po shkon drejt provokimit të NATO-s.

Ai thotë se NATO-ja është duke e përcjellur me kujdes se çfarë po bën Rusia, dhe se është në gjendje gatishmërie për t’ju kundërpërgjigjur.

NATO-ja shqetësimin e saj e bazon se Rusia dhe diktatori Putin po dështojnë në pushtimin e Ukrainës, pasi nuk arritën ta marrin Kievin, humbjet vazhduan, madje nuk po ia dalin ta pushtojnë as Donbasin, një krahinë nga më të mëdhatë në Ukrainë, territor jo administrativ, që përbëhet nga disa krahina administrative si Donetski, Luhani etj.

Po ashtu të dhënat e inteligjencës britanike konfirmojnë se Rusia ka pasur humbje të mëdha, madje edhe pse nuk jep numra të ushtarëve të vdekur, numri i humbjeve të forcës ushtarake tokësore, ajrore është rreth një e treta e saj.

Image
Parashutistët perëndimor të gatshëm për luftë me Rusinë

566 vjet pas, thirrja e Skënderbeut u dëgjua!

Mësimet që ka nxjerrë Perëndimi, janë po ato që pat nxjerrë Skënderbeu. Për ta mundur vërtetë një përbindësh, pushtues të egër, duhet një bashkim, aleancë e përhershme, pa i pranuar intrigat e “Venedikut” dhe të tjerëve.

Natyrisht që ndihmat e aleatëve të vërtetë nuk mungonin, edhe pse nuk ishin krejtësisht të mjaftueshme, siç ishin ato të Mbretërisë së Napolit, me të cilën marrëveshjet ishin të qarta dhe të konstituara, por edhe ato me meritë të Skënderbeut, sepse në çastet vendimtare, Skënderbeu ose ushtria e tij e dërguar për ndihmë, e përcaktonte fatin e mbretërisë. Kështu që ndihma ishte e detyrueshme.

554 vjet pas vdekjes së Skënderbeut apo 566 vjet, pas thirrjes (njërës prej tyre) për ndihmë të Papatit (Vatikanit), për ta bashkuar perëndimin përkrah Skënderbeut, në luftë kundër tiranisë lindore, mesazhet janë pranuar dhe gatishmëria për fitore, është thuajse deri në identifikim. Askush më nuk dëshiron ta lë fatin e luftës në duar të Rusisë, përkundrazi janë përcaktuar për ta mundur, madje deri në dërrmim!

Kjo tingëllon, sikur 566 vjet pas lutjeve dhe kërkesave të Skënderbeut ato u dëgjuan dhe u kuptuan sinqerisht! Të duket sikur të mos kishte ekzistuar Skënderbeu, nuk do të kishte mbijetuar as Zelenski!

Më poshtë letra që besohet se Skënderbeu ia dërgoi Papës së Vatikanit, në vitin 1456.

Letra që Skënderbeu i dërgoi Papës së Vatikanit

“Shumë i nderuar At dhe zotëri me Krishtin. I shkruaj zotërisë suaj shumë të nderuar që të ketë dijeni mbi ngjarjet që po ndodhin këtej. Turku ka bërë përgatitje jashtëzakonisht të mëdha. Thonë se ai sapo është duke u derdhur me 14.000 turq, ose kundër nesh ose kundër Danubit. Njoftohemi se i është afruar tani kufirit. Me forcat tona po marshojmë kundër tyre. Prandaj që edhe ne të mundim të mbrohemi edhe turkut vetë ti shkaktojmë humbje, i lutem me këmbëngulje zotërisë suaj shumë të nderuar të kujdeset së bashku me zotërinë tonë që të më sigurohet ndihma e popujve. Sapo në marrtë armiku /armiku/ rrugën drejt Danubit, ne do t’i qepemi prapa shpine. Por në ardhtë kundër nesh, ne do t’i rezistojmë. Të gjithë e dinë se, sikur të hiqet dorë nga plani që pat përgatitur kundër armikut, kjo është e dëmshme për fenë e krishterë. Për këtë arsye, shumë i nderuari zotëri, ndërmarrjen e filluar e paçi nën kujdesin tuaj: sepse, përndryshe, turku pak e nga pak po grumbullon forca. I dërgova shenjtërisë së tij zotërisë sonë përfaqësuesin tim, atin e nderuar zotin kryepeshkop të Krujës. Habitem se për ç’arsye nuk është kthyer dhe se nuk po marr përgjigje që prej kaq kohe. Prurësi i kësaj letre është miku im shumë i ngushtë zoti Pal Engjëlli këtë ja u rekomandoj në mënyrë të posaçme, zotëri shumë i nderuar. Mbettë pra zotëria juaj me shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë!

Lezhë më 8 të prillit 1456

Gjergj Kastrioti i quajtur ndryshe Skënderbe

Zot në Arbëri, mbështetet tek ju

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat