Motra e Ukshin Hotit flet për zhdukjen e tij

Aktuale

Motra e Ukshin Hotit flet për zhdukjen e tij

Më: 16 maj 2022 Në ora: 18:56
Myrvete Hoti-Kosumi

16 maji i vitit 1999, shënohet dita kur është zhdukur profesori, politologu dhe luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.

Motra e profesorit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, ka thënë se është e zhgënjyer me punën e deritanishme të institucioneve kosovare dhe ndërkombëtare mbi çështjen e zhdukjes së Ukshin Hotit.

Me rastin e 23 vjetorit të zhdukjes së profesorit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, pjesë e emisionit të RTV Dukagjini, “Five”, ka qenë edhe motra e tij, Myrvete Hoti-Kosumi. Ajo ka thënë se çështja e Ukshin Hotit është një çështje e cila e mundon çdo ditë e jo vetëm në përvjetoret e tij.

“Çështja e Ukshin Hotit më mundon edhe ditët pa përvjetor, edhe vet fakti që nuk mund të kuptojë asnjë informatë edhe pse dihet fajtori”, ka thënë Myrvete Hoti gjersa tregon rrethanat e pretenduara të zhdukjes së tij.

Sipas Hoti-Kosumit, çështja e Ukshin Hotit ka qenë e kombëtarizuar dhe si e tillë e njohur edhe për palën serbe dhe atë ndërkombëtare. Megjithatë, ajo ka theksuar faktin se shqipëtarët nuk kanë bërë asnjë protestë apo kërkesë këto 23 vitet e fundit.

E bindur se përgjegjësi për zhdukjen e të vëllaut dihet, ajo ka thënë se “kam kërkuar të zbulohet çështja e tij por, deri tani kam hasur në vesh të shurdhër”.

Për herë të fundit, Ukshin Hoti ishte dënuar me 5 vite burg në burgun e Dubravës ndërsa, në përfundim të këtij dënimi, ai ishte marrë peng nga rojet  e burgut dhe që atëherë nuk është parë më.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat