Ja pse duhet të dënohet ish-ministrja Dhurata Hoxha!

Aktuale

Ja pse duhet të dënohet ish-ministrja Dhurata Hoxha!

Nga: Idriz Morina Më: 16 maj 2022 Në ora: 22:39
Ish-ministrja Hoxha, po i vuan pasojat e nënshtrimit ndaj Thaçit

Dikur kishte zgjedhur t’i shërbente me devocion ish-presidentit Hashim Thaçi, edhe pse nuk e kishte shef sipas detyrës në qeveri.

Ajo duhej t’i jepte llogari normalisht kryeministrit të Qeverisë ku bënte pjesë, Ramush Haradinajt. Por, ajo si duket për motivet, që i din vetëm ajo plotësisht, kishte zgjedhur të punonte për llogari të Presidentit të vendit. Presidenti i vendit, në fakt është autoritet kryesor sipas Kushtetutës sonë në përcaktimin dhe frymën që duhet të ndjekë politika e jashtme.

Kërkohet edhe bashkëveprim i Ministrisë së Punëve të Jashtme me Presidencën në udhëheqjen e politikës së jashtme. Por, megjithatë ministrja nuk i jep llogari të drejtpërdrejtë Presidencës, atëherë Presidentit dhe as tash Presidentes.

Ministrja Dhurata Hoxha, tashmë po akuzohet për shkelje të ligjit, ndërsa projekti që ajo paligjshëm e mbështeste familjarisht ishte kundër interesit të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Bartësi i projektit për modifikim të territorit

Hashim Thaçi ishte bërë bartës i projektit për ndarje të Kosovës në emër të ‘shkëmbimit’ dhe më pas të ‘korrigjimit’ të kufijve, të cilin Ministrja Hoxha me lobuesit e kishte ‘konvertuar’ në “modifikim të territorit”.

Image
Hashim Thaçi po gjykohet në Hagë për çështje të tjera, dhe ish-ministrja Hoxha për projektet e tij

Kjo çështje u ngrit për hetim nga Prokuroria speciale e Kosovës, përkatësisht nga prokurori Dren Paca, pas një publikimi në media, siç pretendon Birni.

Kontrata ishte lidhur me kompaninë “Majorelle”, e cila kishte përfituar 168,000 euro, duke konkluduar: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…”

Sipas hulumtimit rezultonte se Ministria e kishte ngarkuar kompaninë franceze të krijonte “një mendim evropian”, që mbështet “modifikimin territorial”, siç e kërkonte Kosova (Hashim Thaçi).

Po ashtu ministrja e Integrimeve Hoxha është në proces gjyqësor tashmë, pasi në qershor të vitit 2019, kishte mashtruar duke synuar një fushatë kinse për informimin e qytetarëve për integrim dhe liberalizimin e vizave etj, dhe nga 900 mijë eurot e parapara për atë qëllim, 143 mijë u shfrytëzuan për fushatë për zgjedhjet nacionale të vitit 2019, ku Hoxha ishte kandidate për deputete e PDK-së.

Në të dyja rastet po ndiqen penalisht thuaja të njëjtit njerëz me ministren Hoxha Fitim Mustafa, Gëzim Dushi e Ekrem Tahiri.

Roli negativ

Nuk është fuqizimi i gruas të jeshë më afër një burri më të fuqishëm, prej më të fuqishmëve apo edhe të mbipushtetshëm.

Ajo ish-ministre duhet të dënohet, për të mësuar gratë, se nuk fuqizohen duke iu nënshtruar burrave apo çfarëdo ‘fuqive’, që ju ndihmojnë të ngjiten më shpejt, tek pushteti, paraja dhe seksi!

Në fakt është vet seksi, tek i cili bazohen se do të ngjiten, lart shumë lartë, dhe se majat e suksesit vijnë nga andej.

Të tillë e kishte menduar edhe këngëtarja Ronela Hajati, që më shumë se sa si këngë e dështuar, si zë, muzikë dhe tekst, dështoi si veshje dhe gjestikulacion në garën e Eurovizionit, që e gjitha shprehej hapur, në fakt, ishte një ‘manifest’ seksual, për më shumë me imazh perversiteti!

Image
Imazhi i dështuar i Ronela Hajatit

 

Imazhe këto që bota e qytetëruar i refuzoi rrastë! Mendimi se integrimi me perëndimin mund të bëhet më shpejt nëpërmjet lakuriqësisë dhe seksit dështoi edhe njëherë!

Pra, Perëndimi nëpërmjet këtij refuzimi tha se kërkon vlerat tona, dhe jo budallallëqet tona! Kërkon ofertë vlerash, shkencore, kulturore, artistike, teknologjike, ekonomike, modele barazish etj., por jo mbetje të tyre, që qytetërimi njerëzor i ka përjetuar në kulturat pararendëse!

Pra, femra shqiptare duhet ta ketë të qartë, se si baballarët e tyre, që kanë sakrifikuar jetën dhe familjen, për ta ndriçuar fatin e vendit, duhet të sakrifikojnë edhe ato, dhe pastaj dikush nga ato të na ndriçojë, siç kanë bërë jo rrallë gratë shqiptare në histori, nuk dua këtu ta fus në llogari Vjosa Osmanin, pavarësisht sukseseve të deritashme, pasi ende historia e saj në politikë nuk ka mbaruar.

Apo sikurse bënë dhe po bëjnë, sportistet e mrekullueshme, Majlinda Kelmendi, Distria, Nora Gjakova etj., apo në muzikë si Ermonela Jaho, Dua Lipa, Rita Ora etj.

Por, modelet burrërore politike historike i kemi të jashtëzakonshme, si të Ibrahm Rugovës, Hasan Prishtinës dhe të tjerë, që e kishin mbi të gjitha atdheun, dhe jo vetveten.

Të dënohet për modelin e gabuar kulturor

Pra, ajo duhet të dënohet për modelin e gabuar kulturor, sepse para se të synonte ngritjen politike, ajo kishte zgjedhur modelin kulturor të sjelljes, modelin psikologjik, të nënshtrimit dhe të arritjes së rezultateve nëpërmjet nënshtrimit.

Një figurë si ajo, nuk kishte nevojë për nënshtrim, sepse askush nuk do ta nëpërkëmbte një femër me figurë engjëllore si e ka falur Zoti!

Ajo edhe në qoftë nënshtruar në mënyra që ne nuk i dimë, dhe ajo nuk ia ka rrëfyer askujt, ajo duhet të dënohet, që të shpëtojnë të tjera femra si ajo, dhe qindra e mijëra femra të tjera shqiptare, që duhet të shohin përpara dhe të arrijnë atje ku vërtetë e meritojnë!

Pra, ajo duhet të dënohet, nuk them me vite assesi, por qoftë edhe simbolikisht, që të mos merrë dikush si femër atë që nuk e meriton si njeri, si profesionist, si intelektual, artist, sportist etj., që ta kenë si model (referent) femrat e tjera që mund të viktimizohen dhe mashtrohen paturpësisht!

Femra, shqiptare sikurse burri e kishte të koduar sjelljen e saj. Një femër që tenton të jetë e pranishme në publik (politikë), ajo duhet të jetë ‘burrërore’, që nuk e korit shpinë e fisin (kombin) dhe se tradhton shpirtin e vet!

Kjo tradhti e shpirtit të saj, e bëri që t’i nënshtrohet Hashim Thaçit dhe të shkojë pas tij...

Si një intelektuale, ligjëruese universitare, dhe ish-ministre e drejtësisë, kurrë nuk duhej ta bënte këtë, pra lobimin për ‘modifikim territori’!

Dënimi i saj vërteton fajësinë e Hashim Thaçit dhe përpjekjet e atyre që mashtruan dhe po mashtrojnë ende se zgjidhja e duhur është, ‘modifikimi i territorit’, më saktë tkurrja e tij në dobi të Serbisë, madje duke e bërë këtë edhe me shtypjen e femrave!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat