Kryeministri Kurti takohet me Gabriel Escobar

Aktuale

Kryeministri Kurti takohet me Gabriel Escobar

Më: 21 maj 2022 Në ora: 11:18
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti është takuar të shtunën, jo formalisht, me Gabriel Escobarin, të Dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Të dy janë parë në pritjen e organizuar nga organizata American Councils për kryeministrin e Kosovës në Uashington D.C..

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti u takua me drejtuesit e organizatës e cila zbaton disa programe të studimeve në ShBA, si dhe me të ftuarit e tjerë. Të ftuarit e tjerë, përfshin edhe Escobarin.

“Në përfundim të qëndrimit të tij në Washington D.C., Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit nga American Councils, ku u takua me drejtuesit e tij dhe mysafirë të tjerë të ftuar”, njoftoi qeveria në një njoftim për shtyp.

Escobar, dy ditë më parë u takua në Uashington me Miroslav Lajçakun, të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

American Councils funksionon edhe në Kosovë dhe është organizata zbatuese e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria e ShBA-së.

Ndër to është programi KAEF, i cili i dedikohet zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit nëpërmjet edukimit të të rinjve nga Kosova në universitetet më të përzgjedhura në ShBA.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat