Edi Rama ti ke shpirt serb, mos e kërko përtej detit!

Aktuale

Edi Rama ti ke shpirt serb, mos e kërko përtej detit!

Nga: Idriz Morina Më: 23 maj 2022 Në ora: 21:26
Edi Rama shpirti

Shqiptarët ka disa muaj që po mundohen ta gjejnë shpirtin e tyre të lartësuar duke kërkuar në gjithë rruzullin vlera referente, për tu krenuar me vetveten, para botës dhe madje edhe para atyre shqiptarëve kritik, e pesimistëve, që kalojnë në nihilizëm duke mohuar çdo gjë shqiptare.

Katër apo tre kryeministra shqiptarë

Pas zgjedhjes së Dritan Abaz-it (-oviçit) kryeministër në Mal të Zi, filluan shkrime dhe reagime të panumërta, se koha e shqiptarëve më në fund po vjen, se kanë tre kryeministra në Ballkan dhe se i katërti po vjen. Duke e menduar pritjen për një kryeministër në Maqedoni, ndodhi befasia. U zbulua se kandidati për kryeministër i Australisë nga partia laburistë Antoni Albaneze, kishte origjinë arbërore.

Image
Antoni Albaneze, kishte origjinë arbërore

Ishin grekët, që sapo shqiptarët e kishin shpallur në media se Albaneze është me origjinë shqiptare, që u munduan menjëherë ta shpallnin grek. Ndoshta disa me apo pa qëllim, edhe mund të jenë lajthitur nga prania e madhe arvanitase në Greqi, rreth 5 milionë. Emri Arvanit konsiderohet trajta greke për emrin Arbëresh.

Por, si duket kësaj dileme i ka dhënë vulën, gazetari i CNN, Andrew Kaczynski, i cili duke e shpërndarë një postim të Kos-data, ka shkruar thjesht, Albaneze është shqiptar me origjinë nga Italia, sikurse edhe vetë ai, një arbëresh.

“Ai është shqiptar i Italisë. Mbiemri i tij është Albanese. Ai është Arberesh sikur edhe unë”, shkroi ai. Pra, gazetari i njohur i CNN Kaczynski ka përdorur trajtën e saktë të shkrimit të emrit Arbëresh, si i themi ne në gjuhë letrare, dhe jo si i referohen të huajt shqiptarëve dhe arbëreshëve, me albanez.

"Dua të drejtoj një qeveri që ka të njëjtën ndjenjë optimizmi dhe shprese që mendoj se përcakton popullin australian", ka thënë Albanese të hënën në vendlindjen e tij në Sidnei të Australisë, përpara se ta jepte betimin në kryeqytetin në Canberra.

Ngjashëm është betuar edhe Dritani, thuajse pa fjalë dhe premtime për shqiptarët, edhe pse të paktën zyrtarisht 5% e banorëve që jetojnë aty janë shqiptarë.

Image
Edi Rama, i nënshtruar ndaj autoriteteve greke

Plëngprishës

Por, derisa shqiptarët sikur po bëheshin gati të festonin kryeministrin e katërt shqiptarë në botë, papritmas ndodhi një thyerje, e kësaj atmosfere mitizuese.

Ishte vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që u përkujdes ta bëjë këtë. Si gjithmonë festat dhe gazmendet familjare, i prish djali plëngprishës.

Këtë di të bëjë dhe e bëri Rama. Ai tha se kishte gjak italian, por se a është ashtu, Zoti e di më së miri, por gjyshja ashtu i kishte treguar: “Unë kam shpirt italian. Gjyshja ime kishte gjak venecian dhe falë saj kam mësuar edhe gjuhën tuaj. Për mua, italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Jemi shumë të ngjashëm në kulturë dhe mentalitet”.

Si një i shfrenuar në veprime kombëtare, në retorikë, ec e kuptoje tash, nëse italianët janë shqiptarë (me versaçe) apo ky është venecian italian, pa versaçe!

Venetët në gjithë historinë e lashtësisë, nuk kanë qenë pjesë e popullit latin. Përkundrazi ata mendoheshin si një popull ilir, apo edhe një popull i pavarur, që kishte afri të mëdha me shqiptarët.

Ndoshta edhe qëllimisht e ka bërë këtë veçim, pra për të mos thënë apo pranuar se ka gja italian.

Por, meqë fjalët e tij janë të lidhura më shumë me shpirtin se me gjakun, bazuar në vendimet e tij, ai shumë më pak ngjan me shpirt shqiptar, se sa me shpirtin sllav apo të ndonjë fqinji tjetër.

Nëse një shpirt fle në trupin tuaj (z.Rama), ai është serb, grek me bollëk, e madje edhe turk, e çfarëdo, por vështirë po e gjejmë shpirtin tonë tek ti.

Më e mira do të ishte që ju të paktën tani, ti kishit ruajtur edhe pak nervat, dhe të mos e nxirrnit shpirtin tuaj edhe njëherë në “Pazar”!

Image
Çamërinë nuk e fal dot Rama

Pse e pranon shantazhin grek

Ti rri me Vuçiqin më mirë se me këdo, nga shqiptarët e pushtetshëm. Përveç raporteve të mira që kishe me ish-presidentin Hashim Thaçi, por si duket më shumë i kishit ndërtuar ato nëpërmjet raporteve me liderin serb, se sa me interesat tuaja e tona.

Ti ishe në një mendje me Thaçin për ndarjen e Kosovës.

Tani je në një mendje me Dendiasin për dhënien e detit Greqisë.

Bile kur jemi tek Greqia, pavarësisht që me të pushtetshmit grek nuk ke vëllazëri e miqësi të dukshme, atyre ju bindesh si nxënës!

Pra, në vend që të reagosh, siç ju reagon shqiptarëve, me arrogancë, agresivitet dhe paskrupullësi, t’i heshte, kur Dendias, të tha të mos bëzash për asgjë, sepse Greqia do t’i vë veto anëtarësimit të Shqipërisë në BE! Si e lejove ti dhe ministrja Xhaçka, shantazhin publik, me të vërteta absolute, si gjenocidi dhe etnocidi grek ndaj çamëve.

Image
Ministrja Xhaçka me takim jashtë protokollit me Dendiasin

Po, pse nuk i thoshe atij përfaqësuesi të Megalidesë greke, që kërkon ta marrë edhe tërë jugun, se duhet të na ktheni Korfuzin!

Se duhet t’ua njihni çdo të drejtë qytetare dhe etnike, arvanitasve. Se atje nuk janë 40 mijë çamër, por janë 4-5 milionë arvanitas dhe një milion shqiptarë të rinjë, të pranuar tashmë atje nga hapja e Shqipërisë më 1990!

Këta fqinjët tanë si në jug, si në veri, nuk ndalen, po nuk ua përplase në fytyrë krimet dhe të vërtetat!

Gjenocidin çam, duhej, t’i thoshit do e lëmë për fund, krejt për fund, atëherë kur ne të jemi mbi 10 milionë shqiptarë së bashku në Ballkan!

Por, ti se bën dot, sepse shpirti yt është atashuar tek ai serb!

Image
Pikturë pamje e Athinës: Arvanitët në Greqi, ata ishin shumicë deri në 1912

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat