Vala e re e privatizimit, Hoti ka një pyetje për AKP-në

Aktuale

Vala e re e privatizimit, Hoti ka një pyetje për AKP-në

Më: 25 maj 2022 Në ora: 16:57
Avdullah Hoti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për hapjen e valës së re të privatizimit të 52 aseteve, ku përfshihen toka dhe lokale afariste e asete të tjera.

Ai në një postim në Facebook ka shtruar pyetjen nëse me këtë është anuluar vendimi i Qeverisë paraprake, i konfirmuar edhe nga Qeveria aktuale, që e ndalonte privatizimin e aseteve që janë në menaxhim të AKP.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e 52 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore.

Vala e shitjeve është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, ndërsa AKP-ja i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.55 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë më datën 15 qershor 2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.

Hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat