Sot protestohet për lejimin e tërheqjes stë mjeteve nga Trusti pensional

Aktuale

Sot protestohet për lejimin e tërheqjes stë mjeteve nga Trusti pensional

Më: 26 maj 2022 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Në Prishtinë, sot do të protestohet për lejimin e tërheqjes së një përqindje të mjeteve të Trust-it pensional. Përmes një postimi të shpërndarë të një grupi qytetarësh në Facebook, është bërë e ditur se në ora 12:00, para Kuvendit të Kosovës do të protestohet në mënyrë paqësore, për t’iu kërkuar deputetëve që të votojnë për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional.

Një grup qytetarësh, përmes rrjetit social në facebook, ka bërë të ditur se do të protestojnë sot para Kuvendit të Kosovës, për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i. Grupi në Facebook, “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, i cili përbëhet nga rreth 26 mijë anëtarë, ka bërë thirrje që protesta të mbahet nga ora 12:00.

Organizatorët e protestës u kanë bërë thirrje edhe bizneseve që të protestojnë dhe madje të lirojnë punëtorët për të dalë në rrugë dhe që atyre t’u mundësohet transporti.

“I ftojmë të gjitha bizneset nga mbarë Kosova që ta mbështesin protestën, sepse pas qytetarëve, bizneset do të jenë përfitues nga tërheqja e mjeteve nga Trusti”, ka shkruar në këtë grup publik, Adnan Jashari.

Kësaj thirrje i është bashkuar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional, që mundëson tërheqjen nga 10 deri në 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti. “Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, duke e shpërndarë thirrjen për protestë.

Por, iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional që mundëson tërheqjen nga 10 deri në 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti, nuk kaloi dje në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ky projektligj do të shqyrtohet në Kuvend pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, duke kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti, tha se kjo do të ndikojë në rimëkëmbje ekonomike dhe mbështetje për qytetarët.

Themeluesi i grupit “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, Adnan Jashari, ka deklaruar se qytetarët janë shprehur të gatshëm për të protestuar, derisa ka theksuar se reagimet e para pas paralajmërimit të protestës kanë qenë të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat