Kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut: Deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë guxim ta votojnë Trustin, ndëshkohen nga partia e tyre

Aktuale

Kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut: Deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë guxim ta votojnë Trustin, ndëshkohen nga partia e tyre

Më: 26 maj 2022 Në ora: 20:40
Nexhat Llumnica

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes janë pro tërheqjes së mjeteve financiare nga Trusti, mirëpo nuk kanë guxim ta votojnë për shkak se mund të ndëshkohen nga partia e tyre.

Kështu deklaroi kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.

Llumnica i ftuar në emisionin “Ditari”, tha se ata deputetë të cilët nuk e kanë votuar herën e kaluar tërheqjen e 10 përqind të trustit, të njëjtit i kanë tërhequr kursimet e tyre pensionale.

“Ka deputetë të Vetëvendosjes që janë pro tërheqjes së Trustit, edhe pse nuk e kanë votuar. Emrat e tyre nuk mund t’i përmend sepse mund të ndëshkohen nga partia e tyre, për këtë arsye nuk votojnë një pjesë e këtyre deputetëve. Në tërheqjen e kaluar të 10 përqindëshit të Trustit, edhe ata që nuk e kanë votuar, përsëri e kanë bërë tërheqjen e Trustit pensional. Pra, do të thotë që është nevojë e madhe për ne tërheqja e Trustit”, tha ai.

Në protestën e sotme, në kërkim për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, në mbështetje dolën edhe shumë prej sindikatave të institucioneve publike dhe private, njëra ndër to ishte edhe Sindikata e Re e KEK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat