Ambasadori gjerman: Vendimi për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet

Aktuale

Ambasadori gjerman: Vendimi për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet

Më: 27 maj 2022 Në ora: 18:03
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë që arsyeja kryesore e vizitave të shpeshta në Manastirin e Deçanit, është që Deçani ka gjithashtu edhe një rëndësi politike.

“Deçanin e vizitojmë, sepse është (Manastiri) pjesë e trashëgimisë kulturore botërore dhe ai është një margaritar i Kosovës sa i përket rëndësisë kulturore historike. Natyrisht Deçani ka edhe një rëndësi politike. Të premten e kaluar, ambasadorët e Quintit e kanë publikuar një deklaratë në të cilën ne në mënyrë të përsëritur kemi kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Më duhet të them se prej se kam ardhur këtu, tani pothuajse dy vjet, kjo është deklarata e pestë që ne kemi lëshuar përkitazi me Deçanin”.

Rohde në një intervistë në Info Magazine, tutje theksoi që kur bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të zbatohet.

“Dje thjeshtë kemi shkuar atje, mbase edhe për të parë edhe ambasadorët e tjerë që nuk kanë qenë atje deri tani, çfarë bukurie ka ky manastir, por sigurisht që kjo ishte edhe një shenjë, se nuk angazhohet vetëm Quinti për zbatimin e atij vendimi, në mënyrë që kjo temë të hiqet, sepse unë si ambasador nuk dua të merrem me çështjen, nëse një manasatiri duhet t’i jepen 24 hektar tokë. Por shkoj nga ajo se kur bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, qoftë në Gjermani, qoftë në Kosovë, apo në SHBA, ai vendim në një shtet demokratik duhet të zbatohet”, ka thënë Rohde.

Rohde ka thënë që nuk është vetëm qeveria aktuale ajo e cila nuk po e zbaton vendimin e Manastirit të Deçanit.

“Mendoj se nuk është vetëm qeveria aktuale. Që nga viti 2016 Kosova ka pasur pesë qeveri, të cilat nuk e kanë zbatuar këtë vendim të gjykatës më të lartë të Kosovës. Kjo nuk është gjë e mirë dhe unë shpresoj se kjo do të ndodhë shpejtë. Unë i dëgjoj gjithnjë arsyet që përmenden, një ligj nga koha e Millosheviqit, kjo nuk është gjë e mirë, por nuk është arsyetim ligjor. Apo që gjykatësit nuk kanë qenë në rregull, por lidhur me këtë nuk kam parë asnjëherë dëshmi. Prandaj, sipas meje, në një shtet ligjor vendimet gjyqësore duhen zbatuar”, tha ai.

Ambasadori gjerman thotë se nuk beson se ky vendim do të kushtëzojë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Sa i përket Këshillit të Evropës, Ju e dini që Gjermania e mbështet aplikimin e  Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këtë e ka thënë ministrja ime, këtë e ka thënë edhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, zoti Sarazzin kur ishte për vizitë këtu në Kosovë, gjatë një konference për shtyp me Ministren Gërvalla. Këshilli i Evropës është një bashkim i vendeve, të cilat e çmojnë lartë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Unë para 25 vjetësh kam qenë vetë drejtues përgjegjës për Këshillin e Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prandaj e di se nëse p.sh. Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës jep rekomandime, nëse duhet të miratohet rasti i Kosovës, atëherë unë jam i sigurtë që aty do të jetë e shkruar edhe zbatimi i vendimeve. Kjo gjithmonë është kështu”.

“Ata shkruajnë një sërë gjërash dhe mendoj se do të ishte mirë që sa më parë të zgjidhej ky problem, sa më parë që të veprojë qeveria këtu, aq më mirë do të jetë edhe për kërkesën e Kosovës për anëtarësim, të cilën ne e mbështesim. Nuk është kusht. Pranimi i një vendi në Këshillin e Evropës varet një sërë kriteresh të ndryshme. Por më e rëndësishmja është që të çmohen lartë të drejtat e njeriut, liria e mediave dhe parimet e shtetit ligjor, pavarësisht, nëse dikujt i pëlqen vendimi, apo jo”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat