Eksperti i pylltarisë: Kur të arrihet jetëgjatësia e drurit, ai duhet të largohet

Aktuale

Eksperti i pylltarisë: Kur të arrihet jetëgjatësia e drurit, ai duhet të largohet

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Drejtori i Departamentit të Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Tahir Ahmeti, ka thënë se gjelbërimi i lartë në qytet duhet të zhvillohet paralelisht me ndërtimin e qytetit dhe duhet të mbikëqyret nga ekspertët e fushës.

“Çështja e trajtimit të arkitekturës së peizazheve është mjaft komplekse dhe shkon paralelisht me ndërtimin e qyteteve. Gjelbërimi në qytet, sidomos gjelbërimi i lartë që përfshin drunjtë markantë, kërkon përzgjedhje të veçantë nga ekspertët e caktuar edhe për të ofruar më të mirën që ofron gjelbërimi – për ta zbukuruar peizazhin, për ta përmirësuar klimën dhe për të ofruar më shumë oksigjen. Gjithashtu kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet sigurisë për qytetarët, banorët, automjetet dhe pasurinë në përgjithësi”.

Ai, duke marrë shkas tragjedinë e djeshme ku një 30 vjeçar vdiq pas rrëzimit të lisit, tha se çdo dru brenda gjelbërimit të qytetit ka nevojë të analizohet, të inventarizohet dhe të përcaktohet se a e ka vendin në atë mjedis.

“Ndërtimet që kanë ndodhur në Kosovë viteve të fundit nuk janë përcjellë me arkitekturë të peizazheve në nivelin e duhur dhe profesional, sepse me këtë çështje kryesisht janë marrë njerëzit që nuk kanë pasë përgatitje profesionale adekuate. Pasojat e kësaj mund të jenë të përsëritshme, sepse nuk është rasti i parë që drunjtë me dimensione markante rrëzohen në Prishtinë”, deklaroi ai në “Info Magazine” të Klan Kosovës.

Eksperti i pylltarisë tha se duhet pasë parasysh jetëgjatësinë e drurëve në mënyrë që kur të arrihet limiti ata të largohen.

“Biologjia e çdo druri është e përcaktuar dhe çdo dru ka një jetëgjatësi të caktuar që në periudhë të caktuar duhet të largohet nga vendi ku është. Ka drurë me jetëgjatësi mijëravjeçare, derisa te ne ka edhe drurë që kanë jetëgjatësi jo më të gjatë se 50 vjet dhe të njëjtit për shkak të kalbëzimit rrëzohen qoftë edhe me një erë jo shumë të fortë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat