Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka komentuar nënshkrimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve enegjetike për veriun e vendit.
Në një postim në Facebook Abdixhiku ka shkruar se ky udhërrëfyes përcakton zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2013-2015 që kishte për qëllim ushtrimin e sovranitetit shtetëror në gjithë territorin e Kosovës.
“Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 - të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet”, shkruan kryetari i LDK-së.
Në komentin e tij Abdixhiku ka përmendur faktin se kryeministri Kurti në kohën e arritjes së këtyre dy marrëveshjeve i kishte cilësuar si legalizim të ndikimit të Serbisë në Kosovë.
“Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, thekson ai.
Sipas Abdixhikut, LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë - dje dhe sot - marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.