Osmani: BE të kuptojë që ne meritojmë të ecim përpara

Aktuale

Osmani: BE të kuptojë që ne meritojmë të ecim përpara

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 10:24
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk dëshiron t’i rrisë pritshmëritë për liberalizimin e vizave ani pse ka theksuar se shpreson për një progres në këtë drejtim. Para Samitit të BE-së, ajo ka thënë Kosova i përket familjes evropiane të kombeve për çka edhe ka kontribuar me shekuj për vlerat mbi të cilat Bashkimi Evropian qëndron sot.

Presidentja e Kosovës ka thënë se po merr pjesë në samit për të dërguar një mesazh të fortë në emër të popullit të Kosovës se vendi ka nevojë për të dëgjuar një zë të qartë nga Bashkimi Evropian.

Osmani: Nuk dua t’i rrisë pritshmëritë për liberalizmin e vizave, sepse ky proces nuk është më në duart tona

“Sigurisht shpresojmë se po, megjithatë, nuk dua t'i rris pritshmëritë në këtë moment sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, katër vite më parë. Ne i jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shteteve anëtare dhe tani është koha që shtetet anëtare të vërtet ta mbështesin këtë proces sepse është një padrejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje ë lirë, andaj sipas saj, ka ardhur koha që edhe vendet anëtare të dëgjojnë zërin e popullit të tyre.

Osmani: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim e vizave

“Bëhet fjalë për parimin bazë të lirisë së lëvizjes, qindra miliona njerëz nga Evropa, dhe nga jashtë Evropës, deri në Venezuelë, kanë të drejtën e udhëtimit pa viza, ndërsa populli i Kosovës me më pak se 2 milion, ende nuk e kanë atë të drejtë. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret katër vite më parë. Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave. Parlamenti Evropian, me shumicë dërrmuese ka votuar pro liberalizimit të vizave. Pra, mendoj se ka ardhur koha që edhe vendet anëtare të dëgjojnë zërin e popullit të tyre, gjë që u reflektua në vendimet e Parlamentit Evropian."

Presidentja e vendit ka thënë se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme për të cilën Kosova vazhdon të punojë.

Por sipas saj, ata që besojnë se mund të ecin në rrugën e Moskës nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së.

Osmani: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të shprehin zërin e popullit të tyre

“Besoj se ata do të flasin në emër të tyre për Kosovën, vullneti i popullit për integrimin Euro-Atlantik mposht gjithçka tjetër. Ne kurrë nuk kemi shikuar askund tjetër. Kjo është alternativa e vetme për të cilën kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë. Durimi ynë nuk do të venitet. Pra, për këtë arsye, unë besoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të jenë sot këtu për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të shprehur zërin e popullit të tyre. Dhe sigurisht, ata që me të vërtetë janë të vendosur të ecin në rrugën e BE-së, ata duhet të vazhdojnë përpara. Ata që besojnë se mund të ecin në rrugën e Moskës, në rrugën e Putinit si dhe në rrugën e BE-së, nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së, sepse nuk mund të ecësh në të dyja rrugët njëherësh”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se mbështesin negociatat e pranimit si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë, duke shtuar se ka ardhur koha që vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor të ecin përpara.

Gjithashtu, ajo ka thënë se e mbështesin plotësisht statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, duke shtuar se ata e meritojnë këtë njësoi si populli i Kosovës.

Osmani: BE të kuptojë që ne meritojmë të ecim përpara

“Kështu që unë me të vërtetë shpresoj që ndërsa Ukraina dhe Moldavia të ecin përpara, në të njëjtën kohë, BE-ja do të kuptojë se edhe ne, që jemi pjesë e zemrës së Evropës, meritojmë të ecim përpara, sepse, siç thashë, nëse BE-ja nuk jep një sinjal të unifikuar e të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, aq më shumë faktorë të tjerë keqdashës do ta përdorin atë hapësirë dhe atë vakum”, ka shtuar Osmani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat