Komisioni Evropian e konfirmon-nuk ka udhërrëfyes të ri për vizat

Aktuale

Komisioni Evropian e konfirmon-nuk ka udhërrëfyes të ri për vizat

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 16:12
Ana Pisonero

Nuk do të ketë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këtë e konfirmoi Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionarit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ne një përgjigje me shkrim, Pisonero sqaroi pohimet e komisionarit  Varhelyi, i cili një ditë më parë, shprehu gatishmërinë e Komisionit Evropian, për të përgatitur një udhërrëfyes për çështje specifike.

“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit të tij të korrikut 2018, se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave nga viti 2012, në lidhje me ri-pranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore. lidhur me lirinë e lëvizjes”, tha Pisonero.

 Sipas saj, vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim i vonuar, i cili është në pritje në Këshill të BE-së.

“Ne pranojmë se disa shtete anëtare mbajnë shqetësime në pritje, për çështje të tilla si lufta kundër korrupsionit, pretendimet e rreme për azil dhe siguria e dokumenteve të mbuluara nga udhërrëfyesi”, tha Pisonero.

Zyrtarja e KE-së duke folur në emër të këtij institucioni të BE-së, gjithashtu konfirmoi gatishmërinë që të mbështesë punën dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës për t’i adresuar këto çështje.

Gjithnjë sipas Ana Pisonero, pasi të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Komisioni Evropian do të monitorojë më tej zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave përmes mekanizmit të pezullimit të vizave dhe procesit të Stabilizim-Asociimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat