Ministrja Haxhiu: Asnjë individ dhe asnjë institucion nuk mund ta pengojë reformën në drejtësi

Aktuale

Ministrja Haxhiu: Asnjë individ dhe asnjë institucion nuk mund ta pengojë reformën në drejtësi

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 23:55
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të mos i zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecisë. Ajo ka thënë se ka njerëz që po mundohet ta pengojnë në realizimin e procesit të Vettingut.

Reforma që është bërë në Këshillin Prokurorial të Kosovës sipas saj  është një reformë shumë e madhe edhe pse nuk është arritur të proklamohet si e tillë sa duhet, duke pasur parasysh se kjo ministri ka punuar paralelisht në shumë drejtime dhe nuk ka arritur t’i njoftojë drejtpërdrejt qytetarët për benifitet që kanë nga kjo reformë.

“Refuzimi nuk i ndihmon sistemit të drejtësisë por as vetë atyre. Nëse para opinionit të Komisionit të Venecisë situata ka qenë më e paqartë,  duket se ka pasur një pajtim që çfarëdo që thotë Komisioni i Venecisë i cili vepron objektivisht do të duhej të ishim të përbashkuar rreth atij opinioni. Kam pritur se kur ta kemi këtë opinion ta vazhdojmë punën në këtë reformë. Kosova nuk e ka luksin që të mos i zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke qenë se ata krijojnë standarde për vende të ndryshme se si bëhen reformat”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo tutje ka theksuar se për aq sa kam informacione, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor nuk e ka parë ftesën pasi ka qenë jashtë vendit, derisa nga Këshilli Prokurorial thjesht nuk kanë dashur t’i përgjigjen ftesës për takim.

Në pyetjen nëse mund të shkohet me Vetting përpara nëse vazhdon një refuzim i tillë nga KPK, ministrja ka thënë se duhet bërë përpjekje për të gjetur një konsensus.

“Reformat në drejtësi nuk bëhen as për një ministër, as për një kryeministër e as për një qeveri, por për qytetarët e vendit. Jam shumë e interesuar që të kemi takime dhe nuk kam formë tjetër për ta arritur këtë konsensus. Asnjë individë dhe asnjë institucion nuk mund ta pengojë Ministrinë e Drejtësisë për ta përmbyllur çështjen e amendamenteve kushtetuese dhe pastaj paketës ligjore për reformën në drejtësi”, ka shtuar ministrja.   

Ajo ka thënë se është penguar në drejtim të reformës në drejtësi, por sipas saj askush nuk do të mund ta pengojë procesin e Vettingut.

“Fatkeqësisht po përdoret Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion, që pastaj interesat e individëve brenda sistemit të dalin kinse si qëndrim i KPK-së dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte. Nuk guxon që të keqpërdoret në asnjë rrethanë një institucion i tillë, që të bëhen pengesa të ndryshme në raport me përpjekjet tona për reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi nuk ka për qëllim largimin apo eliminimin e individëve brenda sistemit të drejtësisë. Reformat që kemi nisur nuk mund të mbesin peng i individëve. Ato do të vazhdojnë. E për t’i bërë sa më mirë i ftoj që të jenë të pranishëm të gjithë në grupet punuese”.

Ministrja ka thënë se do të respektohet secili rekomandim i Komisionit të Venecisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat