Krejt çka tha kryetarja e Gjykatës Speciale

Aktuale

Krejt çka tha kryetarja e Gjykatës Speciale

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 12:20
Ekaterina Trendafilova

Vizitën që e kishte planifikuar në Kosovë, e anuloi. Por, gjithë punën e Dhomave të Specializuara të Hagës, kryetarja Ekaterina Trendafilova e ka prezantuar para shoqërisë civile e gazetarëve, nëpërmjet platformave online.

Trendafilova për gati një orë të plotë ka folur për historinë e krijimit të Gjykatës Speciale, rasteve aktuale që po shqyrtohen, vendimeve që kanë nxjerrë e deri te akuzat për ndikime politike.

“Vetëm individët mund të akuzohen për krime, e jo grupet etnike, organizatat apo etnitetet tjetër. Vendimi se kush do të akuzohet i takon vetëm Prokurorit të Specializuar. Nuk jemi një etnitet politik, dhe nuk përfshihemi në politikë. Mund të jap shumë shembuj për këtë, por në dhjetor të vitit 2017 ka pasur iniciativa për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Në atë kohë kisha premtuar për të dhënë një intervistë, por më pas e anulova sepse nuk doja të përfshihesha”, ka thënë Trëndafilova në takimin online.

Në pyetjen e gazetes rreth manualit të fundit të miratuar që lejon pjesëmarrjen e Prokurorisë në intervistat e dëshmitarëve të mbrojtjes, kryetarja nuk ka pranuar ta komentojë vendimin.

“Nuk mund të jap komente për vendimin. Vendimi i ka takuar gjyqtarit”, ka thënë Trëndafilova.

E pyetur për kritikat e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca në lidhje me kontrollin e Gjykatës Speciale, Trëndafilova ka thënë se asnjë mekanizëm kontrolli nuk mund të bëhet.

“Më duhet të shpreh pikëpamjen time: asnjë gjykatë nuk mund të jetë nën mbikëqyrje nga legjislativi apo ekzekutivi, kjo nuk ndodhë askund në asnjë vend që e mbështetë sundimin e së drejtës. Brenda kornizës tonë legjislative bazuar në Kushteutë, ne kemi mbikëqyrje nga Apeli e Kushtetuta”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Speciale më tutje.

Në lidhje me raportin e Dick Martyt, Trëndafilova e ka pranuar se në aktakuzë nuk përmenden pretendimet e ish-senatorit zviceran.

Ajo ka folur pak edhe për plotësimin e aktakuzës së fundi.

“Kemi vetëm kontekstin brenda me faktin që shqetësime të mëdha për krime të kryera gjatë konfliktit, dhe pas konfliktit që nuk janë hetuar. Në aktakuzë kemi 4 akuza për krime lufte, dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Në aktakuzën e ndryshuar, nuk ka ndryshuar kohën dhe asgjë që ka të bëjë me trafikimin e organeve”, deklaroi kryetarja e Gjykatës Speciale.

Duke komentuar edhe akuzat për ndikime politike, Trëndafilova e mohoi ashpër një gjë të tillë. Tregoi pse nuk do të pranojë të takohet me Partinë Socialdemokrate.

“Më vonë e mora vesh se ata me bilbila ishin me parti politike. Dhe takimet me shoqërinë civile janë tepër të rëndësishme, dhe ato nuk lejojnë hapësirë për përfshirje politike. Kushdo që dëshiron të bisedojë jashtë politikë, do të bëjmë cfarëdo veprimi për të biseduar me ta”, theksoi më tutje Trëndafilova.

Kur u pyet për vonesat në nisjen e gjykimit, kryetarja e Speciales përmendi një intervistë që avokati Michale Karnavas e ka dhënë për gazetën.

“Sa i përket shpejtimit të procedurave, dhe si duhet të vazhdojë ky rast. Lexova një intervistë të një avokati mbrojtës, Karnavas, dhe ai adresoi të njëjtën pyetje. Ka qenë shumë aktiv në gjykata të ndryshme. Sikurse gjykata ndërkombëtare e drejtësisë. Ka vonesa, por përgatitja për një gjykim do të marrë kohë, në mënyrë që procesi të mos ndërpritet”, deklaroi Trëndafilova.

Në këtë takim online, Trëndafilova e pranoi se dokumentet që u publikuan nga Hysi Gucati e Nasim Haradinaj, kanë rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në lidhje me kërkesën për gati 2 mijë orë gjykim në rastin e Thaçit, kërkesë të bërë nga Prokuroria, Trëndafilova ka theksuar se kjo i takon gjyqtarëve.

“Është një çështje me interes por është diçka që i takon gjyqtarëve, dhe jam e bindur se ata do t’i zbatojnë rregullat”, theksoi Ekaterina Trëndafilova.

Ajo tha edhe një arsyetim pse e anuloi vizitën në Kosovë.

“Ka pasur interesim të madh për takim online, dhe pasi jemi në kohën e verës e shtyva vizitën për periudhën pas verës”, deklaroi Ekaterina Trëndafilova.

Në anën tjetër, kur ishte herën e fundit në Kosovë, Trëndafilova u prit me protesta. Të njëjtën gjë, PSD-ja ka thënë se do ta bëjë sërish kurdo që kryetarja e Gjykatës Speciale vjen në Kosovë.

Ndryshe, Gjykata Speciale së fundmi ka pasur kritika se po ia mban anën Prokurorisë, gjë të cilën Trëndafilova e mohoi kategorikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat