​Historianët e Deçanit akuzojnë Kushtetuesen për standarde të dyfishta

Aktuale

​Historianët e Deçanit akuzojnë Kushtetuesen për standarde të dyfishta

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 22:12
Foto ilustrim

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës se po përdorë standarde të dyfishta gjatë marrjes së vendimeve të saja.

Në komunikatë thuhet se Gjykata Kushtetuese, me rastin e aktgjykimit mbi pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” e “Iliria” në Deçan, nuk e ka respektuar paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, ngase nuk janë shteruar mjetet juridike, kur dihet se janë dy vendime të kundërta nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Ndërsa në rastin e shqyrtimit dhe marrjes së vendimit me rastin e kërkesës së Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të dy këta kandidatë për kryeprokuror të Shtetit, Kushtetuesja ka vendosur që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme, pasi parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës.

Historianët e Deçanit me këtë rast thonë se Kushtetuesja me rastin e trajtimit të çështjes së “Apiko” e “Iliria” në Deçan, të cilat duke u thirrur në ligjet e kohës së Sllobodan Millosheviq-it po mundohen t’i falen Manastirit të Deçanit, ka shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës, nenin 113, paragrafi 7, kur dihet se edhe në rastin e Deçanit nuk janë shteruar mjetet juridike.

“Le të shërbejë ky vendim i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese për t’i bindur të gjitha ata juristë skeptikë që i japin të drejtë Kushtetueses së Kosovës me rastin e vendimit për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit, se vendimi i Kushtetueses për rastin në Deçan është antiligjor dhe antikushtetues”, përfundon komunikata.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat