Tahiri ngre alarmin: Ekonomia e Kosovës është para kolapsit

Aktuale

Tahiri ngre alarmin: Ekonomia e Kosovës është para kolapsit

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 12:18
Besnik Tahiri

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se do të propozohen dy rezoluta në Kuvend, një për liberalizimin e vizave, e tjetra për ngritjen e çmimeve.

Tahiri tha se sa i përket liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar padrejtësisht dhe se çështja e meriton seriozitetin e Qeverisë.

“Si grup parlamentar ne kemi kërkuar një debat në Kuvend, që lidhet drejtpërdrejt me diskriminimin dhe padrejtësinë që u behët qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Do ta prezantojmë një rezolutë, në mënyrë që Kuvendi ta adresojë këtë çështje në instancën më të lartë”.

“Ajo që shohim nga kjo qeveri është një mungesë serioze e vizionit dhe përkushtimit për ta adresuar agjendën evropiane”, u shpreh ai.

Tutje, Tahiri foli edhe për ngritjen e çmimeve, me ç’rast tha se do të propozohet një rezolutë që kërkon nga Qeveria vendosjen e çmimeve “tavan”, pasi që, sipas tij, ekonomia është duke shkuar drejt kolapsit.

“Një çështje tjetër që u trajtua ishte ngritja e çmimeve. Ekonomia e Kosovës është para kolapsit. Çmimet janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Andaj, do të propozohet edhe një rezolutë në Kuvend, të kërkohet nga Qeveria që të ketë një tavan të çmimeve”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat