Krasniqi thotë se PDK-ja është kundër Open Balkan: Hoxhaj dha mendimin e tij personal

Aktuale

Krasniqi thotë se PDK-ja është kundër Open Balkan: Hoxhaj dha mendimin e tij personal

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 23:40
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se subjekti i tij vazhdon të jetë kundër iniciativës së Open Balkan. Enver Hoxhaj, që është pjesë e kësaj partie, ka thënë se është pro e kësaj iniciative, ndërsa Ardian Kastrati kishte deklaruar se duhet të shikohet qëndrimi karshi kësaj nisme.

Krasniqi thotë se Hoxhaj ka thënë mendimin e tij personal sa i përket kësaj nisme.

“E kam dëgjuar zotëri Hoxhajn, por ai nuk e ka diskutuar me mua dhe është mendimi i tij personal. Mund të jetë prej këndvështrimit të tij akademik. Ka qenë ushtrues detyre para meje i kryetarit. Mund të jetë evolim i qëndrimit të tij karshi zhvillimeve të reja. Por qëndrimi i PDK-së vazhdon të jetë i njëjtë prej që ka qenë i emërtuar “minishengen””, thotë ai.

Gjithsesi Krasniqi thotë se Kurti është dashur të marrë pjesë në samite të kësaj nisme dhe të tregojë brengat që i ka.

“Atëkohë kur u nënshkrua Marrëveshja e Uashingtonit kishim dy kritika. Një për Minishengen dhe tjetra për fizibilitetin për Liqenin e Ujmanit. Pra deri sot, ka probleme të cilat nuk janë adresuar që të sigurohet Kosova që mund të marrë pjesë si e barabartë në Ballkanin e Hapur. Pra duhet të balancohen problemet. Duhet të trajtohet tema, qoftë nga ata që janë pro, qoftë nga ata që janë kundër. Qëndrimi jonë si parti është që bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Por edhe këtu duhet të ketë kushte. E para është barabartësia. Duhet të ketë trajtim të barabartë mes shteteve. Duhet të ketë edhe qartësi. Cka nëse nënshkruhet marrëveshja për tregti të lirë. A e konsideron Serbia Kosovën si pjesë të veten? Jo pra, ka paqartësi. Ka pikëpyetje të mëdha. Por nuk jam edhe për këtë qasje. Në Samitin e Ohrit është dashur të shkohet në takim. Është dashur të shkohet dhe të bëhen disa pyetje”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat