​Ministri Krasniqi: Në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik

Aktuale

​Ministri Krasniqi: Në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 14:14
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi sot se Kosova është shtet multietnik dhe si i tillë nuk mund të ketë brenda një asociacionin një etnik.

Në një konferencë për media, Krasniqi tha se çdo gjë që është ndërtuar deri tani në Kosovë është në frymën e një shteti multi-etnik dhe se nuk mund të dilet jashtë frymës kushtetuese të Kosovës.

Krasniqi: Kosova është shtet multi-etnik, s’mund të ketë asociacion një etnik

“Krejt çka mund të them është që ju e dini që në Ligjin për vetëqeverisje lokale është paraparë pjesa ku komunat mund të organizojnë asociacione dhe mandej kjo pjesë e organizimit të tyre është e precizuar edhe me ligjin për OJQ, kështu që gjithçka mund të ndodhë brenda këtyre kornizave. Kosova është shtet multi-etnik dhe në një shtet multietnik nuk mund të ketë asociacion një etnik. Ky është një qëndrim që tanimë të gjithë e keni shumë të qartë dhe besoj që nuk kemi çka të shtojmë përtej kësaj, për shkak se çka do që është ndërtuar në Kosovë deri sot është ndërtuar në këtë frymën e një shteti multi-etnik dhe nuk mund të dalim jashtë frymë kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.

Për këtë, Krasniqi ka folur në një konferencë për media në të cilën ka dalë të tregojë ndër të tjera për vendimin e Qeverisë për rialokimin e mjeteve në vlerë 1.080.768 euro në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për zbatimin e projekteve kapitale, bazuar në marrëveshjet për projektet kapitale me shtatë komuna: Klinë, Gjilan, Obiliq, Podujevë, Shtime, Istog dhe Kamenicë.

Ai ka thënë se tani komunat mund të fillojë procedurat e prokurimit dhe të fillojnë implementimin.

Gjithashtu, qeveria ka shfuqizuar 17 vendime të mëparshme për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te komunat Prizren, Klinë, Malishevë, Skenderaj, Podujevë, Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Istog, Pejë, Graçanicë, Zveçan, Vushtrri, Mitrovicë Veriore, Ranillug dhe Kllokot.

Krasniqi: Kthimi i pronave në interes të komunave mund të realizohet përmes shpronësimit

“Ky proces nuk ka prodhuar efekte juridike dhe nuk është përmbyllur procesi i bartjes së pronave të AKP-së te komunat. Ky vendim nuk e përmbyll rrugën e realizimit të mundësisë së kthimit të pronave në interes të komunave pasi komunat mund ta realizojnë këtë përmes procesit të shpronësimit. Qeveria nuk ka marrë vendim për t’ua marrë pronat komunave, mirëpo ky procesi i filluar në vitin 2018 është i parealizueshëm për shkak se në vitin 2019 ka ndryshuar baza ligjore dhe asnjë nga këto kërkesat e komunave nuk kanë përfunduar krejt procedurat tek Agjencia e Privatizimit, dhe si të tillë janë edhe të parealizueshëm edhe duhet të ndalen, në mënyrë që komunat të fillojnë këtë proces me Agjencinë e Privatizimit përmes Ligjit të AKP-së dhe ligjit për shpronësim”, ka thënë Krasniqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat