Bytyçi: BE e NATO janë të interesuar për qetësi në rajon

Aktuale

Bytyçi: BE e NATO janë të interesuar për qetësi në rajon

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 18:28
Seb Bytyçi

Më 18 gusht do të mbahet takimi i radhës në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, profesor në Universitetin e Vinçesterit, ka shprehur mendime se si do të mund të jetë ecuria e takimit në mes të kryeministrit Kurti dhe të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, në këtë takim pritet të diksutohet për agjendën e takimeve të ardhshme, të fazës së ardhshme të dialogut, ndërkohë që në bazë të deklarimeve të përfaqësuesve të BE-së, takimi mund të jetë edhe për çështjet e vendimeve të marrëveshjeve të kaluara, pra për target, për reciprocitetin, etj., por nuk përjashtohet mundësia që nga ndërmjetësuesit të kenë kërkesa për  uljen e tensioneve në mes palëve.

 I pyetur se pse po mbahet e mbyllur agjenda e takimeve mes palës kosovare e asaj serbe, profesor Bytyçi theksoi se kjo ndodhë për shkak se BE dëshiron të shamnget nga spekulimet që mund të ndodhin, apo për të mos ndikuar në ngritjen e tensioneve para takimeve.

“Ne kemi parë që pikërisht nga agjenda e takimeve dhe nga vendimet e qeverisë së Kosovës, Beogradi zyrtar ka krijuar skena teatralë, kinse Kosova po shkakton destabilizimin e rajonit”, tha profesor Bytyçi në “Info Plus”, në RTK.

Prandaj BE, shtoi ai, ka interes që të mos ngriten tensionet para takimit të palëve  në Bruksel, sepse kjo reflekton keq në BE.

Derisa takimi i radhës që do të mbahet më 18 gusht, saktësisht 12 ditë para zbatimit të marrëveshjes për targat,  analisti Bytyçi shprehu bindjen se në këtë takim do të bisedohet edhe për modalitetet të zbatimit të marrëveshjeve të arrira më parë.

“BE dhe NATO janë të interesuara të ketë qetësi në rajon dhe marrëveshjet e arrira të zbatohen me lehtësi, të shkojnë sa më rrjedhshëm dhe sipas të gjiha gjasave do të ketë një fillim të zbatimit të vendimeve, do të ketë një fluks i vogël i qytetarëve në pikat kufitare në veri”, theksoi, mes tjerash, analisti Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat