Zbulohet agjenda e takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel

Aktuale

Zbulohet agjenda e takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 21:37
Foto nga takimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të enjten më 18 gusht në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Takimi i nivelit të lartë mbi dialogun Prishtinë-Beograd do të mbahet në Bruksel ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat. Deklarata nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BE-së dhe do të publikohet në faqen e internetit të (EEAS).

Ndërkohë në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, takuan të martën më 16 gusht përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Në fokus të takimit ishin edhe takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat