Për çka biseduan kryeministri Kurti e shefi i NATO-s herën e fundit?

Aktuale

Për çka biseduan kryeministri Kurti e shefi i NATO-s herën e fundit?

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 10:50
Jens Stoltenberg dhe Albin Kurti

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do ta takojë në Bruksel kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Deri më tani nuk dihet se cila do të jetë tema e bisedimeve mes zyrtarit të lartë të NATO-s dhe Kurtit.

Por ajo që dihet është se ata më 2 gusht patën një bisedë telefonike e cila u dominua nga zhvillimet e fundit në veri.

Stoltenberg tha se të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, kishte shkruar ai në Twitter.

Telefonata ndodhi pas tensioneve në veri të vendit, për reciprocitetin që vendosi qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftimet dhe targat.

Stoltenberg dhe Kurti do t’i drejtohen mediave në orën 17:00, pas takimit të sotëm në Bruksel. Një takim të tillë do të ketë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i së mërkurës në NATO ndodh një ditë para takimit të Brukselit ku do të përballen Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat