Kurti fton për të martën në takim Këshillin Grevist

Aktuale

Kurti fton për të martën në takim Këshillin Grevist

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 18:20
Foto arkiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar për një takim Këshillit Grevist të BSPK-së.

Këtë e kanë thënë për të median vendore burime brenda këtij këshilli. Sipas këtij informacioni takimi do të mbahet në orën 08:00 të martën në mëngjes.

BSPK dhe SBASHK që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë, duke kërkuar ndarje të 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje për të konfirnuar ose jo ftesën

Qeveria e Kosovës këto kërkesa i kishte quajtur irracionale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga hyrja në grevë nuk kishte zhvilluar asnjë takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ndonëse ka zhvilluar takime me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin.

Në një takim në fundin e javës së kaluar të Këshillit Ekonomik Social, u tha se ka shenja pozitive për arritjen e një marrëveshje, por që deri të hënën nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Më 3 shtator Qeveria e Kosovës kishte prezantuar pakon për përballimin e inflacionit, ku pjesë e saj ishte edhe ndarja e 50 euro për muajin shtator për punëtorët e sektorit publik.

Edhe Këshlli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të hënën u ka bërë thirrje Qeverisë e BSPK-së të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës.

Të dielen edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë thirrje që të ndërpritet greva dhe të nis procesi mësimor. Ky Këshill ka paralajmëruar edhe hapa për kundërshtimin e grevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat