Pse doni ta krijoni një monstër të re?

Aktuale

Pse doni ta krijoni një monstër të re?

Nga: Idriz Morina Më: 18 shtator 2022 Në ora: 20:49
Ilustrim nga krimet e lusftës të kryera nga Serbia

Bisedimet Kosovë-Serbi, bazuar në propozimet e reja, duket me qendër franceze, janë shqetësuese.

Kur të gjithë pritnim, që të ketë një ‘ulje pazari’, në kërkesat që faktorizojnë serbët në Kosovë, po rrezikojmë të shkallojmë në ofertat e reja.

Nëse janë të sakta tri propozimet e dala në media, për të ashtuquajturën Marrëveshje-kornizë, Serbi-Kosovë, me ndërmjetësim të Brukselit, atëherë ato janë tepër shqetësuese.

Propozime të trishta!

Janë tri propozime, të cilat e kërcënojnë seriozisht identitetin tonë.

1. Status special për veriun – Kjo do ta tejkalonte apo de fakto do të ishte një përshpejtim i zhvillimit të Asociacionit, i atij varianti si është miratuar me 2013.

2. Serbia të kthehet në një fuqi rajonale ekonomike dhe financiare (mbase edhe politike) pas ndihmës enorme që premtohet t’i jepet Serbisë! Dhe

3. Serbia, për 10 vjet, të garantohet, se askush nuk do t’ia kërkojë njohjen e Kosovës! Edhe pse ajo do të detyrohet “ta pranojë”. Një lojë fjalësh tepër e rrezikshme.

Kjo kërkesa e fundit ka pasur kuptim, sikur, të ishte futur në vitin 2010, si pjesë e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, e cila çoi në bisedimet në Bruksel.

Sikur të kishte qenë kështu, atëherë, mbase ne tashmë në situatën, që po shpresojmë se ka një rrjedhë pozitive nga pushtimi rus në Ukrainë, ndryshimi i raportit të forcave pro Serbisë, ne do të kishim filluar të ishim në një situatë të konsoliduar.

Pra, objektivi për të na njohur tani nga Serbia, do të kishte kuptim, dhe do të ishte mirëfilli, e detyrueshme për njohje!

Por, ne nuk kemi aftësinë dhe as mundësin e parashikimit të ngjarjeve pas 10 vitesh, dhe aq më pak të raportit të forcave, pro Serbisë, dhe mbase edhe atyre pro Kosovës!

Ne p.sh. nuk mund ta dimë fuqinë e jashtëzakonshme që pritet ta arrijë Kina, pas 10 viteve!

Pas 10 viteve, nëse do të ketë një skenar dramatik ngjarjesh, mund të mos ekzistojë apo edhe të jetë parcializuar apo reduktuar Bashkimi Europian.

Nëse ndodhin këto dy ngjarje, apo cilado prej tyre, ato skenarë favorizojnë Serbinë, kështu, që njohja prej saj, atëherë në rastin më të mirë mund të shtyhej edhe për 10 vite të tjera, por mund të ndodhin edhe skenarë të tjera, të cilat na defaktorizojnë edhe më tej si shqiptarë, ndërsa identiteti ynë tashmë është luhatur.

Bashkimi Europian, duke e financuar dhe duke i dhënë fuqinë si forcë rajonale, (sunduese) do t’i jap asaj mundësi, që me aleat të saj të zhvillojë skenarë edhe më të errëta në Kosovë. Duke blerë dhe bërë për vete hapur edhe ndonjë parti shqiptare, me elemente apo bazë, enveriste-titiste, e cila do të proklamonte hapur, bashkim-vëllazërimin e dikurshëm, por tashmë nën petkun e globalizmit dhe të zhvillimit të ‘qytetarisë’, shqiptarët sërish të jenë të mashtruar dhe të adhurojnë Serbinë, dhe kështu të promovojnë lojalitetin ndaj saj apo afrimin ngjizës me të!

Kush mund ta dijë si dotë duket Rusia pas 10 vjetësh, e shpërbërë apo e konsoliduar nga lufta dërmuese me Ukrainën!

Pra, nëse ndodhin këto skenarë ne do të jemi të humbur pa diskutueshëm.

Atëherë, ne duhet të mbledhim energjitë për të kundërshtuar këtë kornizë dhe propozimet formale për status special apo çfarëdo oferte që vjen prej Brukselit.

Qeveria dhe asnjë institucion i Kosovës, nuk duhet t’i pranojë këto mundësi, madje nuk duhet t’i pranojë as si propozime formale.

Këso propozime veç Rusia do të mund t’i bënte. Nëse edhe kësaj here ka shtete perëndimore, që ende duan t’ia bëjnë qejfin Rusisë, po edhe Serbisë, atëherë nuk kemi të bëjmë me civilizim, të paktën politikë, jo!

T’i kundërvihemi!

Lirisht mund ta quajmë dekadencë!

Shqiptarët kudo janë duhet t’i kundërvihen, madje edhe me organizimin e protestave, jo vetëm në trollin shqiptar, por edhe perëndimor.

Një status special, është po aq i dëmshëm, sa ndarja e Kosovës, veçse kjo më ngadalë!

Shqiptarët, atëherë duhet të vënë propozimin në tavolinë për status special, të Kosovës Lindore, të Sanxhakut, dhe të drejtave speciale të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe veçanërisht në Maqedoni, duke kërkuar rishikimin e Kushtetutës dhe të federalizimit të Maqedonisë, por jo sipas shtypjes ndaj shqiptarëve, që e ka ushtruar pushteti sllavo-maqedonas, por duke i rivendosur kufijtë administrativ të shqiptarëve të para Luftës së Dytë Botërore, kur së paku 70% e Maqedonisë, ishte territor shqiptarë!

Një shpërblim apo synim i tillë, është ushqim për rikrijimin e një shteti monstër, të cilin shqiptarët në gati dy shekuj nuk kanë se si të mos e urrejnë, për krimet masive e gjenocidet, dëbimet masive deri në shfarosje, për asimilimin e shqiptarëve ortodoks!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat