​Bislimi: Qeveria e përkushtuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Aktuale

​Bislimi: Qeveria e përkushtuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 20:12
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar sot se Qeveria mbetet e përkushtuar në ndriçimine fatit dhe vendndodhjes së personavetë pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi me shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, shoqëruar nga Martina Fava, koordinatore për personat e zhdukur dhe familjet e tyre në Ballkanin Perëndimor, ku u bisedua mbi çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. 

Duke theksuar se Kosova e ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me forcë edhe në Bruksel, Bislimi ka falënderuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës, për mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur me forcë dhe punës së bërë në këtë drejtim.

“Qeveria mbetet e përkushtuar në prioritizimin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve, vendosjes së drejtësisë dhe urgjencës humanitare në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Bislimi.

Në takim mori pjesë edhe Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njëherësh kryetar i Delegacionit për Bisedime për Çështjen e Personave të Zhdukur.

Në Kosovë ende nuk dihet për fatin e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Vitin e kaluar, institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe EULEX, kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi, të cilat rezultuan me gjetjen e 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat