Pakënaqësitë në PDK

Aktuale

Pakënaqësitë në PDK

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 21:29
PDK

Pakënaqësitë në nivelin e lartë të partisë duket se nuk e kanë goditur vetëm partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndaj kësaj dukurie nuk janë imun as në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës.

Qysh në fillim të korrikut, Ramë Buja paraqiti dorëheqjen nga Kryesia e kësaj partie. Në një intervistë ai tha se këtë e bëri për shkak që nuk donte të qëndronte aty vetëm si dekor dhe nuk ishte i kënaqur me opozitën që po i bëhej Qeverisë Kurti.

“Arsyet kanë qenë pakënaqësia me punën, angazhimin, aktivitetin, dinamizmin që kërkon koha dhe thjesht unë nuk kam dashur që të jem dekor aty, kam dashur që të jem veprues, ose ta lë vendin. Dekori ka atë nënkuptimin që mund të jetë keqpërdorur një rast që e kemi Ramë Bujën si ky e ai, si i vjetër nga mosha, si ish i burgosur, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm etj”, u shpreh Buja.

Buja që vazhdon të jetë anëtar i Këshillit Drejtues në PDK, thotë se shenjë e rënies së PDK-së mund të jenë edhe sondazhet e fundit që e vendosin atë si parti të tretë.

“Këto janë sondazhe të respektuara megjithatë nganjëherë edhe mund të lajthisin por edhe kjo mbase mund të jetë njëra nga shenjat që PDK-ja nuk po shkon në atë proporcion që duhet të shkojë dhe me veprimet që duhet të bëjë për kohën që i duhet për t’i bërë”, shti ai.

Ai po ashtu mohon se ka përçarje mes tij dhe Rashit Qalajt rreth kryesimit të degës në Lipjan.

Përveç Bujës, pakënaqësi me situatën në PDK ka shfaqur edhe deputetja Ganimete Musliu. Pas konventës së Gruas ku nuk mori pjesë, Musliu shkroi se PDK-ja po shndërrohet në një parti-pronë e një grupi të vogël interesi.

Televizioni ka provuar të kontaktojë me PDK-në gjatë së mërkurës për të gjitha këto pakënaqësi, por nga aty nuk kanë pranuar të flasin.

Për njohësin e çështjeve politikeve, Fidan Ukajn, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi po synon ta reformojë partinë, por kjo sipas tij do të krijojë përçarje dhe rënie edhe më të madhe në rezultat.

“Figura të cilat, tashmë zoti Buja, zonja Musliu dhe të tjerët të cilët kanë shfaq pakënaqësi me vendimet e kryetarit dhe moskonsultimet e kryetarit me strukturën partiake, këta persona vijnë nga zonat që Partia Demokratike e ka votën dhe qëndron pikërisht për shkak të votave që i ka në këto zona”, tha Ukaj.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDK u rendit partia e dytë duke marrë 17 % të votave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat