Flet zyrtarja e BE-së për çështjen e vizave, ja çka thotë për Kosovën

Aktuale

Flet zyrtarja e BE-së për çështjen e vizave, ja çka thotë për Kosovën

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 16:55
Anitta Hipper dhe Nefail Maliqi

Kosova është i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor që nuk përfiton nga liberalizimi i vizave me BE-në.

Lidhur me këtë vonesë të vizave për Kosovën znj. Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për çështjen e vizave  në bisedë për gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch thotë se “Në korrik 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i përmbush të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Vlerësimi ynë është ende i vlefshëm. Pas votimit të favorshëm të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani i takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që t’i japin fund kërkesës për vizë për Kosovën…”

Megjithatë cështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka qenë kurrë më afër se sa sot.

Kjo temë do të jetë në agjendën e mbledhjes së grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor, i kanë thënë zyrtarët e BE-së redaktorit të gazetës zvicerane Le Canton27.ch i cili mori pjesë në konferencën e fundit në selinë e BE-së në Brukesl drejtuar nga shefi informacionit Eric Mamer.

Se a do të ndodhë liberalizimi vizave në këtë vit zyrtarja e BE-së në vazhdim përgjigjet se “ne ofrojmë rregullisht një pasqyrë të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme që lidhen me standardet si pjesë e raporteve të zgjerimit. Një pasqyrë e përditësuar është dhënë më 19 tetor 2021, e cila tregon se Kosova ende i përmbush standardet. Për të mbështetur vendimmarrjen nga shtetet anëtare, këtë vit do të paraqesim raportin tonë për zgjerimin e vitit 2022, së bashku me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave”.

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të diskutohet në mbledhjen e grupit punues të Këshillit Evropian, i cili do të takohet më 13 tetor të këtij viti.

A mund të ndodh apo të shtyhet sërish liberalizimi i vizave si zakonisht, deri në vitin e ardhshëm?

“Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, që paraqet një gjendje të përditësuar të lojës në fushat që kanë të bëjnë me kriteret e liberalizimit të vizave, në mënyrë që të mbështesë diskutimet brenda Këshillit. Ne besojmë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, është deklaruar Anitta Hipper.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat